Lajme Shqip Wednesday, 16 November 2011 10:10

Shkup  – Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës Safet Neziri sot prezantoi 200 tituj shkencorë nga autorë të Universiteteve Perëndimore evropiane dhe ndërkombëtare të përkthyer në shqip, si pjesë e projektit të paralajmëruar qeveritar, njofton televizioni Alsat-M.

Ai tha se ky projekt qeveritar po ecën paralel për sa i përket përkthimit, në gjuhën maqedonase dhe atë shqipe. Neziri gjithashtu informoi se deri tani Ministria e Arsimit ka shpërndarë 100 tituj shkencorë të përkthyer në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe po aq edhe në Universitetit Shën Kirili dhe Metodij.

“Momentalisht kemi shpërndarë në “U.SH.T.” 100 tituj dhe nga 100 ekzemplarë; gjithashtu në rektoratin e Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” 100 tituj në gjuhën shqipe. Tendenca dhe qëllimi i këtij projekti është që t’i mundësohet rinisë shqiptare, respektivisht studentëve shqiptarë në Maqedoni, që studiojnë në Universitetet shtetërore, të ketë qasje më të afërt tek risitë dhe deri tek literatura profesionale. Përkthimi i këtyre titujve shkon paralel edhe në gjuhën maqedonase edhe në gjuhën shqipe, pasi ky projekt deri në vitin 2013 duhet të përfundojë si projekt i suksesshëm”, deklaroi zëvendësministri.

Neziri informoi se projekti qeveritar 1000 tituj të përkthyer shkencorë, do të jetë edhe një sukses i dikasterit të tij por edhe i qeverisë në përgjithësi.

Sipas tij, me këto tituj të përkthyer në shqip do të përfitojnë jo vetëm studentët shqiptarë nga Maqedonia por edhe studentët e të gjitha trevave shqiptare në rajon dhe më gjerë.