Lajme Shqip Sunday, 22 May 2011 18:09

Uashington – Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka hedhur poshtë zërat se ka krizë në mes të qeverisë së tij dhe Administratës së Presidentit amerikan, Barak Obama. Netanjahu është cituar nga zëdhënësi i tij, duke thënë se raportet për mosmarrëveshje me Obamen janë “tërësisht jo-proporcionale” apo të ekzagjeruar.

Netanjahu ka shtuar se megjithëse ka dallime në qëndrime në mes të qeverisë së tij dhe Administratës Obama, “ato janë dallime në mes të miqve”.

Pas takimit të së premtes me Obamën në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington, Netanjahu nuk e pranoi thirrjen e Barak Obames që bisedimet e ardhshme për paqe t’i mbështet në një shtet palestinez, në vija territoriale, para se Izraeli ta okuponte Bregun Perëndimor, Jerusalemin lindor dhe Rripin e Gazës, në vitin 1967.

Netanjahu i ka përshkruar këto vija territoriale si “të pambrojtshme” për Izraelin e ditëve të sotme dhe ka thënë se paqja në Lindjen e Mesme nuk mund të arrihet “duke u mbështetur në iluzione”.