Lajme Shqip Friday, 14 June 2013 11:31

Shkup – Në Shkup dhe Gostivar janë paralajmëruar protesta në mbështetje të kryeministrit turk Rexhep Taip Erdogan. 

“Në emër të miqësisë, Turqi, jemi me ty”, është motoja e këshillit organizativ të protestave të njohur si “Platforma për mbështetjen e Turqisë”. Kjo protestë siç thuhet organizohet pas faljes së xhumasë në mbështetje të politikës së kryeministrit turk Erdogan. Protesta në Shkup nis nga kompleksi tregtar “Çairçanja” dhe do të përfundojë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, raporton ina.
Një protestë tjetër do të mbahet edhe në Gostivar në organizim të Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Turqve (TDP) të Qenan Hasipit. Organizatorët theksuan se protesta ka karakter rajonal, pasi në të do të marrin pjesë qindra veta nga Kosova, Bullgaria dhe Shqipëria. “Nuk do të protestojnë vetëm turqit, por i ftojmë edhe maqedonasit, dhe të gjitha ata që nuk pajtohen me ngjarjet e fundit në Turqi. Qëllimi është që ti japim mbështetje Erdoganit, për shkak se protestat janë për rrënimin e këtij vendi”, theksoi Enver Hisein, sekretar i përgjithshëm i TDP-së.