Lajme Shqip Monday, 20 February 2012 15:30

Shkup – Mbi 50 kompani turke të interesuara për investime në Maqedoni do të marrin pjesë në Panairin e prodhimeve eksportuese turke që do të mbahet prej datës 23 deri më 26 të këtij muaji në Shkup.

Siç u tha sot në konferencë për shtyp, në sallën e parë të Panairit të Shkupit, në një hapësirë ekspozuese prej 2.000 metra katrorë do të prezantohen prodhime nga më shumë sfera, industria farmaceutike dhe ushqimore, bujqësia, ambalazhi, pajisja hotelerike, industria e xhamit, veshmbathja, mjekësia, lodrat, arsimi, turizmi, sistemet e sigurisë, mobiliet, tekstili, mjetet për amvisëri, moda dhe materialet ndërtimore.

“Marrëdhëniet e jashtëzakonshme të mira politike ndërmjet dy vendeve e nxisin edhe zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik. Manifestimet e këtilla të panaireve do të kontribuojnë për realizimin e takimeve të drejtpërdrejta të biznesmenëve dhe kontraktimi i marrëveshjeve konkrete”, theksoi Emre Akçok nga Organizata ndërkombëtare e panaireve “Meridian”, njëri nga organizatorët.

Këmbimi tregtar ndërmjet Maqedonisë dhe Turqisë vitin e kaluar arriti 417 milionë dollarë, që është 34 për qind më tepër në krahasim me vitin 2010. Sipas Shenoll Turkillmaz, atashe për tregti pranë Ambasadës turke në Maqedoni, rritje më të madhe gjatë këmbimit shënojnë industria automobilistike, tekstili, ndërtimtaria dhe ushqimi.

Panairi i prodhimeve eksportuese turke për herë të parë u mbajt vitin e kaluar, ndërsa e vizituan 7,5 miliardë mysafirë. Këtë vit organizohet me mbështetje të Odës ekonomike të Maqedonisë – Turqisë (MATTO), “Meridian”, Ministria turke e Ekonomisë, odat ekonomike të Ankarasë dhe Eskishehirit, si dhe Agjencisë për zhvillim të Trakisë.