Lajme Shqip Monday, 27 January 2014 15:53

Shkup- Në Gjykatën Themelore në Shkup sot filloi procesi gjyqësor për rastin “Spiuni”, kundër një grupi të akuzuarish që akuzohen për bashkëpunim me shërbimet e huaja sekrete dhe për grumbullimin informacioneve sekrete për institucionet e sigurisë dhe zhvillimet politike në Maqedoni. 

Në bankën e të akuzuarve jan 13 të akuzuar, që po vuajnë paraburgimin në Burgun e Shutkës, dy të akuzuar që janë në arrest shtëpiak, ndërsa tre të tjerë mes tyre edhe Marjan Maxhovski, shefi i kabinetit të kryetarit të Parlamentit, të cilët do të mbrohen në liri. 

I akuzuari kryesor është ish-punonjësi i shërbimit sekret Marjan Efremov, pas përjashtimit nga shërbimi sekret në vitin 2009, kishte formuar një grup kriminal pas vitit 2009, në të cilin bënin pjesë ish të punësuar dhe të punësuar aktual në Drejtorinë e Shërbimit Sekret DSK, punonjës të Drejtorisë së Sigurimit Publik, Agjencisë për Kundërzbulim, Policisë Ushtarake, Arkivit Shtetëror dhe disa pronarë të mediave. 

Grupi i akuzuar u arrestua në shtatorin e vitit të kaluar, dhe se ajo akuzojet se po punonte për shërbimet e huaja sekrete, duke grumbulluar informacione sekrete në mënyrë të paligjshme dhe më pas shitjen e tyre. Tërë rrjeti i organizuar gjitha dokumentet dhe materialet i’a dorëzonte Efremovit, i cili i dërgonte më pas në adresë të agjentëve të huaj. Në mesin e të akuzuarve është edhe një gazetar, Zoran Bozhinovski, i cili gjendet në paraburgim në Novi Sad të Vojvodinës dhe se ekstradimi i tij në Maqedoni do të jetë problematik pasi që ai posedon edhe shtetësinë serbe. 

Qeveria ka theksuar se ky proces gjyqësor zbulon një rrjet të gjërë të keqbërësve që kanë dëmtuar interesat e shtetit. Kryeministri Nikolla Gruevski disa muaj më parë deklaroi se nuk dëshiron të komentoj rastin, dhe se sipas tij, për këtë do të deklarohet gjyqësori në bazë të fakteve të grumbulluara ndaj rrjetit të organizuar. 

Nga ana tjetër, opozita maqedonase këtë proces gjyqësor e ka quajtur të montuar politikisht, dhe që është bërë ndaj atyre që nuk janë në një linjë me interesat e pushtetmbajtësve aktual. 

Javorja maqedonase “Fokus” shkruan se operacioni i koduar ‘spiuni’ është një parapërgaditje nga pushteti për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme në Maqedoni. 

Sipas, kësaj reviste opozitare, pushteti aktual i VMRO-DPMNE përmes kësaj afere ku u arrestuan mbi 20 persona për spiunim dhe bashkëpunim me shërbime sekrete, do të shfrytëzojë mundësinë për të propaganduar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Gazeta e përditshme proqeveritare “Dnevnik”  ka shkruar disa muaj më parë se grupi prej 20 personave të dyshuar dhe akuzuar për spiunim dhe veprime kriminale po bashkëpunonte dhe i jepte informacione shërbimeve sekrete greke dhe hungareze. Sipas saj,  koka e grupit ishte Marjan Efremov, ish-agjent i Agjencisë për Kundërzbulim të Maqedonisë.  Informacionet e siguruara shërbimet e huaja sekrete i paguanin me para, por edhe me kompensime tjera si pushime apo argëtime në pika turistike. (INA)