Lajme Shqip Friday, 16 March 2012 10:05

Sao Paolo – Kompania amerikane e naftës “Shevron” kumtoi se për shkak të rrjedhjes së naftës nga të çarat, përkohësisht do ta ndërpresë eksploatimin nga fusha e naftës Frade, që ndodhet në oqean, 360 kilometra larg shtetit Rio de Zhanejro, në afërsi të bregut juglindor të Brazilit.

Në atë fushë të naftës, në nëntor të vitit të kaluar u derdhën së paku 416 mijë litra naftë.

Tani për tani nuk dihet sasia e rrjedhjes së re të naftës. Rrjedhja është zbuluar, sepse në sipërfaqe të oqeanit është gjetur naftë.

“Shevron” kumtoi se partneri i ri brazilian ka kërkuar ndërprerje të eksploatimit të naftës si masë kujdesi, pasi që është zbuluar sasi më e  vogël e rrjedhjes në fushë.

“Shevron” ka pjesëmarrje prej 51,74 përqind në fushën Frade. Kompania kumtoi se do t’i kryejë të gjitha matjet e nevojshme në terren dhe do të bashkëpunojë me Agjencinë nacionale braziliane të naftës.