Lajme Shqip Sunday, 06 November 2011 18:06

Athinë – Negociatat për qeveri të unitetit kombëtar janë në vijim dhe deri në fund të ditës duhet të arrihet marrëveshje, ndërsa ndoshta do të kumtohet edhe emri i kryeministrit të ri, deklaroi sot zëdhënësi i Qeverisë greke Ilias Mosialos.

Presidenti i Greqisë Karolos Papulas, i cili u bëri thirje të gjithë aktorëve politik në vend për bashkëpunim, sot u takua me liderin e partisë kryesore opozitare Demokracia e Re, Andonis Samaras, pasi që dje kishte takim me kryeministrin Jorgos Papandreu.

Temë e bisedimeve është formimi i qeverisë së unitetit kombëtar, e cila sipas Papandreut do të duhet të zgjasë disa muaj, që t’i bind kreditorët e huaj në stabilitetin e vendit, ndërsa Samaras kërkoi që për disa javë të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Mosialos, duke paralajmëruar marrëveshje të shpejtë, theksoi se emri i kryeministrit të ri do të duhet të kumtohet më së voni deri nesër. Ai shtoi se kryeministri aktual Papandreu do të japë dorëheqje pasi që të arrihet marrëveshja përfundimtare.

Zëdhënësi qeveritar theksoi se në qeverinë e unitetit kombëtar është e domosdoshme të marrin pjesë dy partitë më të mëdha – partia qeveritare PASOK dhe ajo opozitare Demokracia e Re, por e përjashtoi mundësinë për pjesëmarrje të partive të vogla.

“Qeveria e këtillë, e përbërë nga politikanë dhe teknokratë do të jetë me jetëgjatë të shkurtër”, potencoi Mosialos, duke shtuar se të gjitha procedurat do të finalizohen gjatë javëve të ardhshme.