Lajme Shqip Monday, 11 July 2011 13:03

Moskë – Në anijen “Bullgaria”, e cila dje u fundos në lumin Vollga në republikën ruse Tatarstan, ndodhen trupat e rreth 110 të vdekurve, duke përfshirë edhe 20 fëmijë, njoftuan ekipet e shpëtimit pas hetimit fillestar.

Sipas informatave të ndryshme, në anije ka pasur midis 179 dhe 199 persona. Deri tani janë shpëtuar 80, ndërsa janë nxjerrë trupat e 13 të vdekurve. Të tjerët tani për tani llogariten si të zhdukur, por përfaqësues të Ministrisë ruse të Gjendjeve të Jashtëzakonshme deklaruan se shanset që të gjehen të mbijetuar të rinj janë shumë të vogla.

“Numri i të vdekurve mund të krahasohet me atë të të zhdukurve, i cili tani për tani është 104 persona”, theksoi një nëpunës nga Ministria lokale e Gjendjeve të Jashtëzakonshme.

Sipas të dhënave të deritanishme, jetën e kanë humbur 12 persona – tetë gra, tre burra dhe një fëmijë, theksoi Marat Ramatulin nga shërbimi zjarrfikës i Tatarstanit. Ai konfirmoi se trupat po dërgohen për ekspertizë në Instituin për mjekësi gjyqësore në kryeqytetin e kësaj republike Kazan.

Familjarë të udhëtarëve veçmë po mbërrijnë në Kazan, ku parashikohen procedura për identifikim të trupave.

Era dhe valëvitja e lumit rreth vendit të aksidentit, si dhe rrjedhja e derivateve në anije, u kanë krijuar probleme zhytësve. Ndërkohë ekipe tjera të shpëtimit kërkojnë të mbijetuar në brigjet dhe ishujt e afërt. Në rrethinë janë hapur qendra për pranim të përkohshëm të të shpëtuarve dhe familjarë të udhëtarëve nga “Bullgaria”.

Sipas dispozitave në anije nuk duhej të kishte më shumë se 120 persona.

“Bullgaria” u fundos në fshatin Sekejevom, rreth 80 kilometra nga Kazali, qyteti më i madh në Tatarstan, në largësi prej 800 kilometrave nga Moska.

Stacioni televiziv “Rosia” publikoi se anija është ndërtuar në vitin 1955, në Çekosllovakinë e atëhershme.