Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 18:09

Sarajevë – Myftiu kryesor i Bashkësisë islame në Serbi, Muamer Zukorliq i porositi bashkëkombasit e tij në BeH se lufta të cilën ai po e bën në Sanxhak nuk është e kotë, se populli i ka njohur të gjitha imponimet e regjimit të Beogradit dhe se autonomia e Sanxhakut është gjithnjë e më reale, ndërsa vetë boshnjakët janë gjithnjë e më të vetëdijshëm.

Ai, duke folur në solemnitetin me rastin e 20-vjetorit nga themelimi i Shoqatës së qytetarëve nga Sanxhaku në Federatën e BeH, theksoi se bosjankët në Sanxhak janë si “shqiponja të vogla” të cilët në folenë e tyre rriten shpejtë dhe foleja u bëhet e ngushtë, ndërsa më pas “fluturojnë në qiell dhe zënë vende të volitshme për jetë”, siç është BeH dhe të gjitha vendet në Evropën Perëndimore, Australi dhe Amerikë.

Në solemnitet fjalën e morën anëtari i Kryesisë së BeH Bakir Izetbegoviq dhe reis ul ulema i Bashkësisë islame në BeH, Mustafa Ceriq.

Izetbegoviq deklaroi se në 20 vitet e kaluara populli boshnjak u bë faktor i rëndësishëm në vendimarrjet në Ballkan, ndërsa boshnjakët e Sanxhakut kanë konfirmuar se në çdo sfidë historike me të vërtetë e kanë dashur dhe e kanë mbrojtur BeH-në.