Lajme Shqip Wednesday, 15 August 2012 16:42

Shkup – Kryetari i nderit të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) Arbën Xhaferi ka ndërruar jetë sot pasdite si pasojë e hemorragjisë cerebrale. Mjeku Sllobodan Damjanoski ka konfirmuar lajmin.

“I ndërmorëm të gjitha masat e nevojshme për shërim, por për fat të keq ndodhi më e keqja”, ka thënë Damjanoski.

Intelektuali e politikani i përmasave gjithëkombëtare, ish-kryetari i PDSH-së, Arbën Xhaferi vuante nga sëmundja e Parkinsonit.

Mediat maqedonase njoftojnë se rreth orës 16:00 në spitalin klinik të Shkupit ka ndërruar jetë kryetari i parë i Partisë Demokratike Shqiptarë në Maqedoni Arbën Xhaferi.

Vetëm pak minuta më vonë partia që e themeloi doli me nje deklaratë për shtyp; “Sot më 15 Gusht 2012 pushoi së rrahuri zemra e Kryetarit të kuvendit qendror të PDSH-së z.Arbën Xhaferi. Me rastin e vdekjes së z.Arbën Xhaferi nesër më 16 Gusht 2012, në ora 12.00 në Pallatin e Kulturës në Tetovë do të mbahet mbledhja komemorative, kurse kortezhi për përcjelljen e të ndjerit do të niset nga qendra e Tetovës në ora 13.30h për në varrezat e qytetit të Tetovës.”- thuhet ne deklaraten e PDSH-së.

Arbën Xhaferi u shtrua në klinikën e Shkupit pas një goditje celebrale që pësoi në banesën e tij në Tetovë prej ku u transferua ne Klinikën e Shkupit ku ra në gjendje kome.

Mjekët kishin paralajmëruar se gjendje ishte e rende dhe nese i ndjeri do te kishte kaluar 7 deri ne 10 dite ne kete gjendje mundesite per permiresim te shendetit do te ishin me te medha. Arbën Xhaferi prej 7 ditesh ishte ne gjendje kome.

Dy fjalë për Arbër Xhaferrin

Arbën Xhaferi lindi në Tetovë me 24 janar 1948. Shkollën fillore dhe të mesme ka kryer në Tetovë ndërsa studimet filozofike në Beograd. Deri vitin 1990 ka punuar në Radio Televizionin e Prishtinës si redaktor përgjegjës për programin kulturor. Pas viteve 90-të kthehet në vendlindje ku së bashku me Menduh Thaçin themelojnë Partine Demokratike Shqiptare, të cilën ai e udhëhoqi plot 12 vjet deri në vitin 2007. Ai ishte edhe deputet në Parlamentin e Maqedonisë gjatë kësaj periudhe qeverisjeje. Xhaferi është nënshkrues i Marrëveshjes së Prizrenit dhe i Marrëveshjes së Ohrit, me të cilën u arrit paqja në Maqedoni. Kohëve të fundit Xhaferi vuante nga sëmundja e Parkinsonit, që ishte shkak për largimin nga politika aktive dhe më shumë merrej me analiza kombëtare. (LajmeShqip.com)