Lajme Shqip Thursday, 08 December 2011 20:00

Shkup – Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë sot u nda çmimi shtetëror vjetor “Shën Klimenti i Ohrit” që është  mirënjohja më e lartë për arritje shumëvjeçare në sferën e edukimit, arsimit, kulturës, artit, shëndetësisë, sportit, mbrojtjes dhe avancimit të rrethinës njerëzore dhe në veprimtarinë sociale me interes publik të Maqedonisë.

Fitues për vitin 2011 janë arkeologu, Pr. Dr. Dragi Mitrevski – në fushën e arsimit dhe edukatës, ndërsa akademiku dhe shkrimtari Luan Starova dhe mr. Nikolla Fidanoski, artist figurativ – në fushën e kulturës dhe artit.

Çmimi, siç theksoi kryetarja e Këshillit për ndarjen e Çmimit shtetëror, akademikja Vera Bitrakova-Grozdanova, na lidh me memorien kolektive për vlerat universale të Shën Klimentit të Ohrit, nxënësin e parë të vëllezërve Shën Cirili dhe Metodi.

“Vlerat e fituara nga veprimtaria juaj e shumëvjeçare lanë gjurmë të rëndësishme në jetën dhe zhvillimin e vendit tonë, duke i tejkaluar edhe kufijtë e saj”, tha Bitrakova-Grozdanova.

Në emër të fituesve u falënderua akademiku Luan Starova, i cili tha se Republikës së Maqedonisë më shumë se kurdoherë i duhet energji bashkuese e cila i pushton dallimet e mundshme në rrugën e saj. Një energji të këtillë, siç tha, arrinte përmes shenjtërisë së tij Klimenti i Ohrit.

Akademik Luan Starova ka lënë gjurmë të thella në sferën e poezisë, ka publikuar vepra edhe në prozë, ndërsa me udhëpërshkrimet e tij e afirmon mendimin për bashkimin midis popujve dhe kulturave. Përmes aktivitetit të tij diplomatik, si ambasador në Francë, kontribuoi për afirmimin e letërsisë e cila shkruhet në Maqedoni. Përmes ndërmjetësimit të tij janë përkthyer më shumë libra nga autorë të shquar nga Maqedonia.