Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 20:47

Shkup – Ndarja e Kosovës nuk e rrezikon tërësinë territoriale të Maqedonisë, tha zv/kryeministri maqedonas. Analisti Daniel Server e ngriti këto ditë këtë temë.

Zv/kryeministri i Maqedonisë për çështje evropiane, Vasko Naumovski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për koment lidhur me deklaratën e analistit politik amerikan, Daniel Server, se në rast të ndarjes së Kosovës, do të rrezikohet integriteti territorial i Maqedonisë, tha se bëhet fjalë për mendim personal të Daniel Serverit.

“Ky është vlerësimi i tij personal. Integritetin territorial të Republikës së Maqedonisë e garantojnë ARM-ja dhe të gjitha institucionet e tjera, në pajtim me rendin tonë kushtetues. Në këtë moment as që është i rrezikuar, as që ka paralajmërime se do të rrezikohet në të ardhmen”, ka thënë Naumovski, pas takimit që realizoi të enjten në Shkup me eurodeputetin slloven Alojz Peterle.

Sipas këtij të fundit, Republika e Maqedonisë duhet ta mbajë dinamikën e reformave në procesin e eurointegrimit, për çka ka përkrahje të madhe në Parlamentin Evropian.