Lajme Shqip Saturday, 23 July 2011 10:31

Uashington – SHBA-ja, NATO dhe Bashkimi Evropian e dënuan sulmin me bombë në Oslo, në afërsi të Qeverisë, në të cilin e humbën jetën të paktën shtatë persona dhe sulmin e armatosur mbi tubimin e të rinjve në afërsi të kryeqendrës, ku ka katër të vrarë.

Shtetet e Bashkuara kanë dënuar ashpër sulmin që ka goditur kryeqytetin norvegjez, duke vrarë të paktën shtatë persona dhe duke shkatërruar disa ndërtesa.

“Ne i dënojmë këto akte të neveritura të dhunës. Zemrat tona janë me viktimat dhe familjet e tyre”, thuhet në komunikatën e Departamentit amerikan të Shtetit.

SHBA është shprehur e gatshme të ofrojë ndihmë, nëse një gjë e tillë kërkohet nga autoritetet norvegjeze.

Kryetari i BE-së, Herman van Rompuj është i tronditur nga sulmet me bomvë në kryeqendrën norvegjeze. “I dënoj ashpër këto veprime të ulëta. Kam shprehur shqeëtsim dhe solidaritet ndaj kryeministrit Jans Stoltenverg dhe ndaj njerëzve në Norvegji”, thuhet në deklaratën e Rompuj.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, i ka dënuar “aktet e urryera të dhunës” në Norvegji, pas sulmeve me bomba që tronditën ndërtesën e qeverisë anëtare të Aleancës.

“Në emër të NATO-s, i dënoj në termat më të ashpër të mundshëm aktet e dhunës në Norvegji”, tha Rasmusen.

“Solidariteti ynë me Norvegjinë mbetet i palëkundur. Vendet e NATO-s qëndrojnë të bashkuara në luftën kundër këtyre akteve”, shtoi ai.

Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, për të cilin policia thotë se është shkaktuar nga bomba.