Lajme Shqip Tuesday, 09 August 2011 19:28

Bruksel  – NATO i arsyetoi sot sulmet e saj ajrore, të kryera mbrëmë në qytetin libian Zlitan dhe potencoi se nuk ka dëshmi se gjatë bombardimeve kanë humbur jetën civilë, siç kumtuan paraprakisht autoritetet libiane.

“Nuk kemi dëshmi për viktima civile  në këtë moment”, deklaroi zëdhënësi i operacionit “Mbrojtësi i bashkuar”, koloneli kanadez Loran Lavoa, në shtabin e komandës së përbashkët të forcave të Aleancës në Napoli.

Ai e arsyetoi operacionin e NATO-s, duke potencuar se caku ka qenë “legjitim”. Lavoa sqaroi se cak kanë qenë ndërtesat e mëparshme bujqësore, të cilat tani janë shfrytëzuar për qëllime ushtarake nga forcat e liderit libian, Moamer Gadafi.

Autoritetet libiane paraprakisht e akuzuan NATO-n për vrasjen e 85 civilëve në fshatin Maxhar, në jug të qytetit Zlitan, gjatë sulmeve të mbrëmshme ajrore.

“Fshati është sulmuar për t’u lejuar kryengritësve të hyjnë në Zlitan nga jugu”, deklaroi zëdhënësi qeveritar Musa Ibrahim.

Sipas zëdhënësit, në sulmet e humbën jetën 33 fëmijë, 32 gra dhe 20 burra.

Televizioni libian tregoi trupa të karbonizuar të fëmijëve nga fshati.