Lajme Shqip Sunday, 24 April 2011 10:48

Tripoli – Tre shpërthime kanë jehuar mbrëmë në afërsi të qendrës së Tripolit, por tani për tani ende nuk mund të përcaktohet se çka saktë ka qenë caku i sulmit.

Njëra prej raketave e goditi një hotel ku qëndronin gazetarë të huaj, lajmëruan mediat perëndimore. Rreth orës 21 sipas kohës lokale janë dëgjuar të shtëna intensive nga armë automatike në lagje të ndryshme të kryeqytetit, mbi të cilin vazhduan të fluturojnë aeroplanë-luftarakë të Aleancës.

Aeroplanët e NATO-s nga nata e kaluar disa herë e bombarduan Tripolin, ndërsa shënjestër ishte sektori në të cilin gjendet kazerma-bunker dhe rezidenca e Moamer Gadafit në qendrën e qytetit.

“Në të njëjtën kohë, forcat lojale të liderit libian mbrëmë e ndërmorën edhe qytetin Jafran, në pjesën perëndimore malore të vendit”, deklaroi zëdhënësi i kryengritësve për televizionin “Al Arabija”.

Ai theksoi se kishte numëruar më shumë se 40 raketa “grad” për më pak se një orë.

Mediat lokale shpallën se aviacioni i NATO-s ka kryer një seri të sulmeve ajrore ndaj pesë qyteteve libiane. Janë bombarduar objekte ushtarake dhe civile në Tripoli, Garjan, El Hums, El Assa dhe Sirt. Sipas mediave të dëmtuara janë objektet komunale – kanalizim dhe hidraulik, si dhe automobila të civilëve. Në sulmet ka të vrarë dhe të plagosur, por numri i tyre nuk konfirmohet.