Lajme Shqip Saturday, 26 March 2011 12:58

Kabul – Në sulmin ajror të forcave ndërkombëtare në provincën jugore afgane Helmand, caku i të cilit ka qenë një komandant taleban, janë vrarë civilë, kumtoi sot NATO-ja, duke mos e përmendur numrin e viktimave.

Në kumtesë thuhet se forcat e NATO-s në Afganistan (ISAF) kanë kryer sulm mbi dy automjete, duke menduar se në to ka qenë një lider taleban dhe bashkëpunëtorët e tij, por më vonë u zbulua se bëhet fjalë për civilë.

“Civilët afganë janë vrarë dhe lënduar rastësisht dje në rajonin Nav Zad, në provincën Helmand”, thuhet në kumtesë, duke theksuar se në vijim janë hetimet për incidentin.

Paraprakisht këtë muaj në sulm ajror të NATO-s në afërsi të kufirit me Pakistanin, janë vrarë nëntë persona, ndërsa përfaqësuesit zyrtarë afganë kumtuan se bëhet fjalë për fëmijë, të cilët kanë mbledhur drunj për ngrohje.