Lajme Shqip Monday, 16 April 2012 13:31

Napoli-Valter Lavitola, ish- drejtor i gazetës ‘Avanti’, është prangosur në Itali sapo kishte zbritur nga bordi i avionit që vinte nga Buenos Aires. Akuza ndaj tij është korrupsion ndërkombëtar. Lavitola dyshohet se ka korruptuar qeverinë e Panamasë.

Sapo ka zbritur nga avioni, ai është dërguar në një burg në Napoli. Sipas prokurorëve, ai ka ndërhyrë për një kontratë për ndërtimin e burgjeve në Panama.

Mësohet se presidentit të Panamasë i ishte premtuar një helikopter me një vlerë prej 8 milion eurosh në këmbim të kontratës. Vlera e kësaj të fundit ishte 176 milion euro. Ndërkohë me ndërhyrjen e Lavitolas ishte rritur më shumë afera. Deri më tani mendohet se vlera e premtuar për tu përvetësuar nga kontrata ishte 28 milion euro.

Lavitola u bë i njohur në Shqipëri kur në Itali u gozhdua Franko Fratini, që akuzohej se kishte ndihmuar Lavitolan në aferat e tij. Lavitola kishte kërkuar që të ishte i pranishëm në një takim mes Ilir Metës dhe Fratinit, në atë kohë kryediplomatë.

Fillimisht të dy e mohuan takimin, por një foto i përgënjeshtroi. Vetë Meta u hodh në mbrojtje të Fratinit, duke mohuar njohjet me Lavitolan. Por sekseri italian tha se kishte 10 vite që e njihte Metën.

Në përgjime Lavitola shprehej se do bënte një goditje të madhe në Shqipëri. Më vonë u zbulua se ai do ishte sekser në ndërtimin e gazsjellësit TransAdriatik, për të cilin po lobon kaq shumë së fundmi Sali Berisha.

Lavitola u përfshi në një skandal tjetër kur solli në Shqipëri një person të quajtur Roberto Guarcio, që nga Berisha e Meta u paraqit si një ekspert digash në ditët e vështira të përmbytjes së Shkodrës. Por në fakt ai kishte ardhur për të marrë koncesionin e një hidrocentrali. (Tema)