Lajme Shqip Wednesday, 05 December 2012 18:11

Bruksel – Ministri i Jashtëm grek Dimitris Avramopulos ka shprehur shqetësimin e tij për rritjen e nacionalizmit në rajonin tonë dhe ka paralajmëruar vendet kandidate për hyrjen në BE dhe NATO, se duhet të respektojnë parimet dhe vlerat e Evropës.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e punës së Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, Avramopulos tha se nacionalizmi në vendet fqinjë të Greqisë është bërë shqetësues. “Shtimi i nacionalizmit dhe populizmit në disa nga vendet tona fqinje është një burim shqetësimi të madh”, u shpreh Avramopulos, duke shtuar se problemet e kufijve në Ballkan kanë përfunduar. 

Ai theksoi se vendet kandidate për në Bashkimin Evropian dhe NATO duhet të respektojnë parimet dhe se në këtë pikë nuk do të ketë lëshime. “E bëra të qartë në të gjitha drejtimet se një sjellje e tillë nuk tolerohet. Vendet kandidate për anëtarësim në NATO apo BE duhet të respektojnë parimet dhe vlerat e Evropës. Për këtë çështje nuk do të bëhet zbritje dhe të gjitha kriteret e parakushtet duhet të përmbushen, duke përfshirë respektimin e rregullave të fqinjësisë së mirë”, deklaroi ministri i Jashtëm grek, në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO-s.(LajmeShqip.com)