Lajme Shqip Tuesday, 01 May 2012 08:30

SHBA – ‘Pew Research Center’ nga SHBA ka kryer një sondazh në pesë vende muslimane: Egjipt, Turqi, Jordani, Liban dhe Pakistan duke vlerësuar pikëpamjet e vetë muslimanëve në lidhje me Al-Kaedën.

Sipas sondazhit muslimanët e shohin organizatën terroriste me një sy negativ, madje edhe vetë banorët e Pakistanit, vend ku para një viti u vra Osma bin Laden.

Në Egjipt 71% e të anketuarve kanë një qëndrim kritik ndaj Al- Kaedës, në Turqi përqindja rritet në 73, në Jordani 77, kurse në Liban 98%.

Në Pakistan 55% e njerëzve janë kundër Al-Kaedës, 13% e mbështesin, kurse 30% nuk janë deklaruar.

Pikërisht një vit me parë, forcat amerikane vranë Bin Ladenin, liderin e organizatës më të madhe terroriste dhe ky sondazh sipas organizatorëve qëllimisht përkon me këtë datë.

Po ashtu, hulumtuesit kanë thënë se gjatë proçesit të anketimit janë përballur me rreziqe të ndryshme në disa zona të Pakistanit.