Lajme Shqip Friday, 29 July 2011 18:39

Shkup – Implementimi i Marrëveshjes së Ohrit mbetet prioritet i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe ne do të punojmë në këtë drejtim, theksoi zëvendëskryeministri i angazhuar për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferri pas marrjes së funksionit nga zëvendëskryeministri i deritanishëm Abdilaqim Ademi.

“Ka shumë sfida dhe ky koalicion i ri ka startuar me shumë suksese siç ishte rasti i plotësimit të ligjit për përdorimin e simboleve, avancimi i gjuhës shqipe dhe interpretimi autentik i ligjit për amnisti, që ka qenë një plagë e hapur për gjithë shoqërinë tonë dhe shtetin. Zoti Ademi përmendi se ky vit është jubilar apo dhjetëvjetori i nënshkrimit të MO-së dhe Maqedonia ka ecur para, gjegjësisht, ne kemi lënë shumë larg konfliktin dhe tash jemi vetëdijesuar të gjitha palët se vetëm përmes dialogut dhe mirëkuptimit mund të shkojmë përpara dhe jo përmes konflikteve dhe problemeve. Edhe një herë z. Ademi i dëshiroj sukses dhe ne fatmirësisht jemi nga e njëjta parti dhe si kolektiv do të jemi bashkë. Për fat të mirë, BDI-ja do të ketë më shumë pozicione edhe si numër dhe si shumë pozicione të rëndësishme në ekzekutivin e ri. Tani me veçmas kemi filluar ti realizojmë premtimet e programit zgjedhor si që përmendëm ligjet që kaluan në parlament dhe sot në takimin rradhës do të vazhdojmë me përmbushjen e atyre obligimeve, që është një program ambicioz dhe ne shpresojmë që ka kapacitet BDI-ja që të realizon këto synime të programit”, theksoi Xhaferri.

Ndërsa zv/kryeministri i mëparshëm Abdilaqim Ademi theksoi se e ka njoftuar Xhaferri për implementimin e MO-së dhe funksionimin e Sekretariatit që ka drejtuar ai.

“Sot prita zëvendëskryeministrin e ardhshëm të  Maqedonisë , Xhaferi i cili do të jetë i angazhuar për sferat e Marrëveshjes së Ohrit. Në pika të shkurtra e njoftova për angazhimin e deri tanishëm dhe projektet të cilat pritet të realizohet dhe janë në vijimin e sipër. Ajo që duhet theksuar është fakti se në vitin 2008 ne bashkërisht edhe si ekip e BDI-së, në Qeverinë e Maqedonisë, arritëm ta kthejmë MO-në si njëri nga prioritetet kryesore të programit të Qeverisë. Edhe në këtë program MO-ja përsëri mbetet prioritet dhe pritet që edhe qeveria edhe institucionet tjera të jenë më të përkushtuara për implementimin e plotë  jo vetëm të asaj të shkruar por edhe të frymës të MO-së”, tha Ademi. (LajmeShqip.com)