Lajme Shqip Tuesday, 19 July 2011 13:36

Londër – Rupert Murdoch, i biri James dhe ish-shefja ekzekutive e “News of the World”, Rebekah Brooks, dalin sot përpara ligjvënësve britanikë për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre në lidhje me skandalin e përgjimeve të paligjshme, që kanë tronditur nga themelet perandorinë mediatike të manjatit australian.

At e bir pranuan të dalin përpara Komisionit të Dhomës së Komuneve për median pas kërkesës që u lëshua për ta. Ligjvënësit kanë pyetje për dëshmitë e dhëna, gjatë një seance dëgjimore në vitin 2003, nga 43-vjeçarja Brooks dhe Andy Colson, të dy ish-drejtues të tabloidit të mbyllur.

Përpara tyre pritet të dalin gjithashtu edhe dy zyrtarët e lartë të policisë, të dorëhequr për shkak të skandalit që tashmë ka marrë përmasa të pandalshme.

Thirrjet përpara komisionit janë më të fundit të një serie zhvillimesh dramatike në sagën e përgjimeve në Britani. Brooks dha të premten dorëheqjen nga posti i shefes ekzekutive të “News International”, krahu britanik i “News Coorporation” dhe dy ditë më vonë, u arrestua nga policia e u mbajt nën mbikqyrje për 12 orë.

Edhe më shumë e rëndon këtë skandal vdekja ende e pazbardhur e gazetarit Shon Hor, i pari që dha alarmin për çështjen e përgjimeve. Deri më tani, raportet policore tregojnë se vdekja e tij nuk konsiderohet e dyshimtë. Por, e gjithë situata e krijuar në vend do të detyrojë kryeministrin David Cameroon ta mbyllë më shpejt nga sa ishte parashikuar vizitën e tij në Afrikë. Në vorbullën e përgjimeve janë përfshirë disa njerëz që kanë patur lidhje të ngushta me të.

Cameroon mund të kthehet në Londër të mërkurën, për t’u marrë me krizën. Parlamenti Britanik duhej të niste 6 javë pushime, por planet ndryshuan dhe pas mbërritjes së kryeministrit, dhe mund të mbahet një seancë e posaçme. Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara FBI ka nisur një hetim për të përcaktuar nëse punonjësit e konglomeratit ‘News Corporation’ të Murdoch-ut janë përpjekur të përgjojnë telefonat e viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit dhe të familjeve të tyre apo t’i japin rryshfete policisë për informacione.