Lajme Shqip Tuesday, 09 July 2013 12:50

Shkup – Si duket VMRO-DPMNE dhe BDI kanë mosmarrëveshje dhe sfida edhe gjatë punës së tyre në Parlament, por gjithmonë përpiqen që ato t’i tejkalojnë duke i harmonizuar deri në shkallën e mundshme. Sipas nënkryetares së Parlamentit nga radhët e BDI-së, SuzanaSaliu dhe deputetit të VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski është normale që ndonjëherë ka mosmarrëveshje mes partnerëve të koalicionit në Parlament, por gjithmonë përpiqen që të arrijnë në gjuhë të përbashkët. 
Sipas Saliut, për momentin, puna në Shtëpinë ligjvënëse është dinamike për shkak të agjendës së ngarkuar lidhur me harmonizimin e legjislaturës së vendit me atë ndërkombëtare. 
“Parlamenti ka një agjendë shumë të ngjeshur dhe shumë dinamike për shkak të funksionit shumë të rëndësishëm që ka: ligjvënien e në veçanti harmonizimin e legjislaturës vendase me standardet ndërkombëtare dhe të drejtën Evropiane. Ky mision kërkon edhe përkushtim por edhe marrëveshje dhe konsensus në mes partnerëve shumicë”, deklaroi për Zhurnal plus deputetja e BDI-së Suzana Saliu. Por megjithatë, shton ajo, janë të pranishme qëndrimet e ndryshme që kanë me kolegët e koalicionit. 
“Ne deputetët e BDI-së shpeshherë kemi dallime me kolegët tanë të koalicionitpër përmbajtjen e shumë propozim-ligjeve por të gjitha ato i tejkalojmë me marrëveshje, me takime të drejtpërdrejta me ministrat e Qeverisë nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe përmes amendamenteve”, nënvizon Saliu. 
Nënkryetarja po ashtu ka potencuar se të rregullta janë edhe koordinimet e kreut të Parlamentit, koordinatorët e gupeve parlamentare edhe krahas bojkotit që bën opozita. 
“Koordinimet janë një forum i rëndësishëm parlamentar ku diskutohet për të gjitha problemet dhe dallimet që ka në mes deputetëve të shumicës parlamentare, madje shpeshherë në koordinime merremi vesh për mënyrat e tejkalimit të situatave të ndryshme”, vijo Saliu. 
Për qëndrimet e kundërta dhe harmonizimin e tyre flasin edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së. Deputeti Ilija Dimovski thotë se kur hasin në sfida me kolegët e koalicionit nga BDI, gjithmonë përpiqen që t’i tejkalojnë përmes diskutimeve. 
“Ne gjithmonë kur kemi qëndrime të kundërta përpiqemi që t’i harmonizojmë deri në shkallën që mund t’i harmonizojmë. Gjithmonë ka sfida, gjithashtu ka edhe qëndrime të kundërta por mundohemi përmes diskutimeve t’i tejkalojmë dhe kjo është e gjitha”, u shpreh për “Zhurnal plus” deputeti Dimovski.