Lajme Shqip Wednesday, 01 February 2012 20:00

New York – Votuesit në Florida, një ndër shtetet më të mëdha dhe më të rëndësishme amerikane, kanë vendosur një gur kilometrik në rrugën e kandidatit Mitt Romney, i cili kërkon nominimin e Partisë Republikane për të mundur presidentin Barak Obama në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.

Ish-guvernatori i Masacusets, i konsideruar si një republikan liberal, ka fituar bindshëm në zgjedhjet paraprake në Florida, mbi 46 për qind të votave përkundër 31.9 për qind që mori rivali i tij kryesor republikan, Newt Gingric.

Dy kandidatët e tjerë të mbetur në garë, Rick Santorum dhe Ron Paul pothuajse nuk bënë fushatë në këtë shtet dhe mbështetja ndaj tyre ishte e ulët. Fitorja në një shtet si Florida, ku dominojnë votuesit e moshuar, konservatorë dhe hispanikë, e bënë kandidatin Romney të hedh vështrimin drejt përballjes me Presidentin Obama në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.

“Unë jam i gatshëm të drejtoj partinë dhe kombin”, u tha Romney mbështetësve, menjëherë pas fitores në Florida. Ai përcolli mesazhin se zgjedhjet paraprake nuk mund ta dobësojnë dhe ndajnë Partinë Republikane, sikundër mund të besojnë kundërshtarët demokratë, ndërsa sulmoi presidentin Obama si përgjegjësin kryesor për situatën në të cilën ndodhet ekonomia.

Triumfi i Romeny në Florida vjen pas humbjes që pësoi në Karolinën e Jugut, ku Newt Gingrich, pas një fushate plot akuza në adresë të tij, fitoi mbi 40 për qind të votave nga 27 për qind që mori Romney.

Votuesit në Florida, të përqëndruar tek ekonomia, duket se i kanë kapërcyer akuzat e Gingrich ndaj Romney përfshirë dhe atë se nuk është konservator i vërtetë, sepse ai (Romney) më shumë se çdo kandidat tjetër republikan e ka bërë gjendjen ekonomike të vendit çështje kryesore të fushatës.

Në Florida, ku papunësia vlerësohet në 10 përqind përkundër 8.5 përqind që është në rang kombëtar, ku niveli i punësimit në ndërtim, shërbim apo edhe qeveri është nën nivelin e tre viteve më parë, ku tregu i shtëpive mbetet më i dobëti në shkallë vendi, votuesit nuk kanë pyetur për çështje të tilla si martesat brenda së njëjtës gjini apo abortit, ndër çështjet që Romney akuzohet si një republikan liberal.

Romney ka ftuar elektoratin që ta gjykojnë planin e tij ekonomik nga suksesi kur drejtonte firma investimesh ne periudhën 1980-1990 dhe kur ai pretendon se ka arritur të hap miliona vende pune. Ai ka propozuar një balancim të buxhetit, taksa më të ulëta për të pasurit, një sërë kufizimesh në burimet qeveritare, shfuqizimin e ligjit të kujdesit shëndetësor, etj.

Me premtimet e tij Romney duket se i ka bindur votuesit në Florida se, ai është kandidati i duhur republikan për të mundur presidentin Obama dhe për të kthyer Amerikën në drejtimin e duhur.

A mund të jetë Romney kandidati republikan që do të përballet me Presidentin Obama në nëntor?

Kampi i Obamës nga hera e ka parë si rival kryesor Mitt Romney, madje ka përgatitur dhe reklama për të kaluarën e tij. Edhe shumë analistë politikë pohuan se me përfundimin e zgjedhjeve në Florida republikanët e kanë emëruar kandidatin e tyre presidencial.

Të tjerë rezervohen të flasin me siguri për emrin e kandidatit, pasi gara brenda republikanëve ka qenë e paparashikueshme. Në 4 nga 46 shtetet, ku janë zhvilluar deri më tani zgjedhjet, tre nga katër kandidatët e mbetur në garë kanë shënuar të paktën nga një fitore.

Mitt Romney ka fituar në dy shtete, Nju Hampsher dhe Florida, Newt Gingrich në Karolinën e Jugut dhe Rick Santorum në Ajoua.

Zgjedhjet në Florida konsideroheshin si më të rëndësishmet nga kandidatët, sidomos nga dueli Romney-Gingric, të cilët janë përfshirë në një garë të fortë shtet pas shteti për të fituar sa më shumë delegatë, që do të përcaktojnë dhe kandidatin për president në kuvendin e Partisë Republikane, në fund të muajit gusht.

Florida ka 50 delegatë dhe tashmë kandidati Romney ka fituar shumicën e tyre. Sipas sondazheve, Romney ka të ngjarë të fitoj në Nevada, në 4 shkurt. Ai gjithashtu ruan një avantazh në Arizona, për shkak se një pjesë e madhe e popullsisë atje janë mormonë, besim që i përket edhe Romney.

Sondazhet e tregojnë Romney në avantazh edhe në Micigan, vendlindja e tij. Këto parashikime duket se nuk e kanë trembur kandidatin Newt Gingrich, i cili ka deklaruar se mbeten edhe 46 shtete ku do të zhvillohen zgjedhjet paraprake.

“Ne do të luftojmë në çdo shtet, dhe do të fitojmë e do të emërohemi në gusht”, tha Gingrich pas rezultatit negativ që mori në Florida, ndërsa nuk e uroi rivalin e tij për fitoren në këtë shtet. Kësisoj gara brenda Partisë Republikane pritet të jetë e gjatë, ndoshta si ajo e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 2008-ës kur dy rivalët kryesorë Barack Obama dhe Hillary Clinton “luftuan” deri në minutën e fundit.