Lajme Shqip Thursday, 01 March 2012 12:30

Nju Jork – Ish guvernatori i Masacusets, Mitt Romeny ka fituar me vështirësi në shtetin e Miciganit, vendlindjen e tij, dhe lehtësisht në Arizona, duke qëndruar kështu në krye të garës republikane për kandidatin presidencial.

Fitorja në Arizona dhe Micigan sigurisht që është një mesazh pozitiv për Romney, republikanin e moderuar, pas humbjes së trefishtë që pësoi në fillim të shkurtit në Minesota, Mizur dhe Kolarado, tre shtetet që u fituan nga rivali i tij, ish-senatori Rick Santorum i cili është shfaqur si ultra konservator.

Në Arizona, sikurse dhe ishte parashikuar nga anketat, Romeny rezultoi të ishte një favorit i fortë. Ai fitoi 48 për qind të votave, përkundër 26 për qind që fitoi Santorum.

Fushëbeteja e vërtetë e këtij raundi zgjedhor ishte Micigani, ku Romeny dhe Santorum ishin të dy kryesues të garës dhe të dy në tension deri në momentin e fundit të numërimit të votave në orët e vona të së martës. Për më tepër për, Romney i cili në zgjedhjet e paraprake të 2008-ës, kur kërkoi për herë të parë nominimin e republikanëve, kishte fituar 39 për qind të votave përkundër 30 për qind që mori senatori John McCain.

Kësaj here Romney fitoi me një diferencë të ngushtë, 4 për qind, por që gjithësesi kjo fitore i ka dhënë atij shumicën e 30 delegatëve të Miciganit, e thënë ndryshe më shumë mbështetës për të fituar nominimin e republikanëve në Kuvendin e gushtit.

Sfida në Micigan ishte një test i rëndësishëm për Mitt Romeny edhe për disa arsye të tjera. Miçigani është shteti ku Romney u lind e u rrit dhe ku babai i tij ka qenë një nga guvernatorët më popullorë. Kësisoj humbja do të thoshte shumë për të.

Micigani është një shtet pjesa perendimore e të cilit është “shtëpia” e konservatorëve socialë, të cilët duket se mbështesin më së shumti Rick Santorum, nga sa kanë treguar rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve paraprake.

Në një farë mënyrë, fitorja në Micigan tregon se Romney ka mbështetje edhe mes konservatorëve megjithëse ky grup vazhdon të jetë një problem për të.

Micigani është një shtet ku dominojnë demokratët dhe sipas rregullave të partisë republikane në zgjedhje paraprake mund të marrin pjesë të gjithë votuesit e regjistruar, pavarësisht bindjeve politike, pra edhe votues demokratë që mbështesin Presidentin Barak Obama.

Santorum e shfrytëzoi këtë rregull. Ai u bëri thirrje demokratëve në Micigan, përmes telefonatave të automatizuara, që të votojnë atë dhe jo Mitt Romney. Në një shtet si Micigani që mbahet me prodhimin e makinave, Santorum e ka përligjur thirrjen e tij me argumentin se “Romney ka kritikuar huatë prej miliarda dollarësh që administrata Obama ka dhënë për shpëtimin e industrisë së makinave dhe ka mbështetur huatë që u janë dhënë kolegëve të tij të Wall Street”.

Një votuese demokrate që mori pjesë në zgjedhjet e se martes u shpreh për CNN se votoi për kandidatin Santorum sepse është kandidati më i gabuar për të qenë President dhe kësisoj do t’ia bëjë më të lehtë garën Presidentit Obama në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.

Gjithësesi Santorum nuk duket një kandidat i dobët. Republikanët dhe sidomos ata konservatorë e kanë votuar atë, duke i dhënë deri tani fitoren në katër shtete, në gjashtë ka fituar Romney, në një Newt Gingrich, ish kryetar i dhomës së përfaqësuesve dhe asnjë Ron Paul, i cili është ende në garë.

Romney kryeson me numrin e shteteve të fituara dhe rrjedhimisht të delegatëve, ndërsa procesi zgjedhor për kandidatin republikan do të vijojë në 6 mars me “Super të martën”, ku votimet do të zhvillohen në 10 shtete njëherësh. Së bashku këto shtete prodhojnë 400 delegatë, mjaft të rëndësishëm për kandidatët në garë që kërkojnë nominimin e republikanëve për të mundur Presidentin Obama në nëntor. Atëherë procesi do të jetë pothuajse në mes, kur dihet që Shtetet e Bashkuara numërojnë 50 shtete.