Lajme Shqip Tuesday, 03 April 2012 18:00

Mitt Romney synon të arrijë një fitore të trefishtë, ndërsa të martën do të mbahen votimet brenda republikanëve në tre shtete të reja amerikane, në Uiskonsin, Merilend dhe Uashington.

Aktualisht, ai udhëheq bindshëm garën që do të shpallë alternativën e Barack Obamës për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Sipas ekspertëve, nëse do të arrijë të fitojë eventualisht në të gjitha këto shtete, Romney do t’i japë rivalit të tij kryesor, Rick Santorum, një grusht “nokauti”. Muaji prill do të jetë vendimtar për zgjedhjet republikane, ku një datë shumë e veçantë është edhe 24 prill, pasi do të votohet në shtetin e Pensilvanisë, ku Romney ka qenë senator.

Nëse udhëheqësi i garës arrin të marrë këto katër fitore, ai virtualisht do të fitojë edhe emërimin për të sfiduar Obamën, por nëse Santorum do t’i mbijetojë këtij prilli aspak të favorshëm për të, fatet e zgjedhjeve mund të përmbysen.

Aktualisht, Romney ka grumbulluar aq vota të shprehura në 568 pikë (ose delegatë), nga 1 144 që duhen për të fituar emërimin. Santorum renditet i dyti me 273 delegatë, ndjekur nga Gingrich me 135 dhe Paul me 50.

Përpara mbajtjes së votimeve të martën, Romney siguroi një mbështetje të rëndësishme në Uiskonsin, nga një kongresmen vendas, Paul Ryan.

Megjithatë, sipas Santorum, ai është duke arritur rezultate të shkëlqyera, duke patur parasysh “paratë e pashtershme” të fushatës së Romney.

Një sondazh i Gallup të hënën, tregoi se Obama mbetet ende lehtësisht favorit ndaj Romney, kryesisht për shkak të popullaritetit të tij më të madh midis femrave. Megjithatë, të dhëna kontradiktore thonë se Santorum mund të ketë shanse më të mira se sa kandidati tjetër brenda partisë për të mposhtur presidentin në fuqi.