Lajme Shqip Sunday, 21 August 2011 17:01

Shkup – Misionari shqiptar Branko Manojlovski pesë para orës 12 arriti në vend-derdhjen e Vardarit në Detin Egje. Ecjen e rreth 430 kilometrave ata e kanë bërë për nëntë ditë e 55 minuta. Manojlovski në det derdhi ujin që kishte marrë në burim, duke i thënë lutjet dhe uratat tashmë të njohura si emërtimi “Maqedonia Ilire”. I gjithë ekipi e përgëzoi misionarin Branko Manojlovskin, duke i dëshiruar shëndet dhe suksese.

Ndërkaq ditën e djeshme policia greke dy orë të tëra kishte penguar anëtarët e shoqatës ‘Josif Bageri’, që të vazhdojnë marshin e nisur përgjatë lumit Vardar, që përfshinë edhe territorin e Greqisë.

Policia greke kishte ndaluar mbrëmjen e të premtes në qytetin Evzoni për disa orë një grup aktivistësh shqiptarë të shoqatës “Josif Bageri” nga Maqedonia, mes tyre edhe ish deputetin e BDI-së Vullnet Ahmeti, por më pas i ka liruar. Grupi i udhëhequr nga kryetari i shoqatës “Josif Bageri”, Branko Manojlovski ishte pjesë e ekspeditës së nisur nga Vrutoku- rrjedha e lumit Vardar deri te Deti Egje, një mision simbolik kundër hasmërive dhe urrejtjes midis popullit shqiptar dhe atij maqedonas. Ky aktivitet ndërlidhej me 10 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Marshit iu bashkëngjitën edhe shumë miq e të afërm të Manojlovskit, të cilët kishin nisur ekspeditën më 12 gusht nga Vrutoku – burimi i lumit Vardar deri në Detin Egje, me simbolikën për të shmangur urrejtjen midis popujve shqiptar dhe maqedonas si dhe për të promovuar vlerat. Nisja nga atje, u shoqërua me një atmosferë festive e miqësore në prezencë të shumë miqve dhe qytetarëve të Gostivarit dhe vendbanimeve të tjera shqiptare. Fillimi i udhëtimit të tyre u shoqërua edhe me rite fetare. (LajmeShqip.com)