Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 09:01

Minsk – Së paku 12 persona humbën jetën në sulmin e djeshëm me bomba mbi një stacion të metros në Minsk, kumtoi pres qendra e Komitetit për siguri shtetërore (KGB) në Bjellorusi.

Deri më tani janë identifikuar gjashtë nga viktimat. Sipas informacioneve të fundit, gjatë shpërthimit janë lënduar rreth 149, nga të cilët 22 janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve, mjeti shpërthyes ka qenë me fuqi të barabartë me 5 kilogramë trotil dhe është vendosur nën një ulëse të peronit të stacionit të metros. Përveç eksplozivit, mjeti ka përmbajtur edhe copë të hekurit, gozhda dhe grimca metalike. Në momentin e shpërthimit në afërsi kanë qenë 300 persona.

Kryeprokurori i Bjellorusisë shtroi padi penale për terrorizëm.

Dëshmitarët okularë deklaruan se në vendin e shpërthimit është formuar zgafellë e madhe. Sipas tyre, një pjesë e viktimave kanë pësuar jo vetëm nga shpërthimi, por edhe nga shtylla e rrëzuar e metros.

Metroja në Minsk është e vetmja në Bjellorusi dhe ka dy linja me gjatësi të përgjithshme prej 30,3 kilometra, 25 stacione dhe dy depo. Sipas të dhënave nga viti 2006, metroja transporton rreth 800.000 udhëtarë në ditë.

Shpërthimi ndodhi në një moment të politikave dhe tensioneve rritëse në Bjellorusi, të shkaktuara nga gjykimi i anëtarëve të opozitës të cilat i organizuan protestat kundër rizgjedhjes kontroverse të Lukashenkos si president më 19 dhjetor.