Lajme Shqip Sunday, 13 January 2013 17:00

Prage – Ish-kryeministri i majtë i Republikës Ceke, Millosh Zeman, është fituesi i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në vend, edhe pse konkurrenca për zëvendësuesin e presidentit euroskeptik, Vaclav Claus, ishte shumë e fortë.

Nga të dhënat e Komisionit Zgjedhor Cek, rezulton se Zeman ka marrë rreth një të katërtën e votave në ato që konsiderohen si zgjedhje historike për Cekinë. Kjo ishte hera e parë që një president zgjidhej me vota popullore që nga ndarja e Çekosllovakisë në Sllovaki dhe Republikën Çeke në vitin 1993.

Në të kaluarën, kreun e shtetit e zgjidhte Parlamenti. Me tu shpallur rezultati, 68-vjeçari Zeman falenderoi mbështetësit e tij: “Dua të falenderoj votuesit dhe ekipin tim. Pa ata nuk do të kisha arritur kurrë deri këtu.”

Në balotazh, ish-kryeministri do të ketë përballë tij ministrin e jashtëm pro-europian, 75-vjeçarin Karl Schëarzenberg, i cili u rendit pas tij me 23 përqind të votave. Raundi i dytë mbahet në 25 dhe 26 janar.

Shpresat u zbehën për ish-kryeministrin Jan Fisher. Biri i një të mbijetuari të Holokaustit dëshironte të bëhej presidenti i parë hebre i zgjedhur drejtpërdrejt në Evropë. Vladimir Franz, kompozitor, piktor dhe profesor i arteve skenike, i cili është i gjithi i mbuluar me tatuazhe ngjyrë blu, do të mbetet dhe ai jashtë garës.

Rezultatet e raundit të parë e fokusojnë luftën për presidencën çeke tek dy njerëz që janë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Millosh Zeman, duhanpirës e konsumues i alkoolit, njihet për egërsinë me të cilën i sulmon kundërshtarët e tij. Schëarzenberg nga ana tjetër, edhe pse është 75 vjeç, gëzon popullaritet të jashtëzakonshëm mes të rinjve e votuesve urbanë dhe ka pasur lidhje të ngushta me presidentin e parë të vendit, Vaclav Havel.

Sa për kreun aktual të shtetit, Vaclav Klaus, një figurë karizmatike, por përçarëse, Kushtetuta nuk i lejon të pretendojë një mandat të tretë presidencial.(LajmeShqip.com)