Lajme Shqip Thursday, 24 November 2011 12:02

Liderët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë do të takohen gjatë ditës për të diskutuar çështjen e krizës së borxheve në Eurozonë. 

Presidenti francez, Nikolas Sarkozi dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, pritet ta theksojnë mbështetjen e tyre për kryeministrin italian, Mario Monti.

 Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i francës Nikolas Sarkozi takojnë për herë të parë sot kryeministrin e ri të Italisë Mario Monti. Por ata nuk do të diskutojnë vetëm për Italinë.

Liderët do të shqyrtojnë në detaje krizën e borxheve në eurozonë. Takimi mbahet në kohën kur po vazhdojnë mospajtimet ndërmjet Francës e Gjermanisë për mënyrën më të mirë të trajtimit të krizës.

Të dyja vendet nuk pajtohen nëse obligacionet duhet të lëshohen nga të gjithë vendet e eurozonës apo nga secili anëtarë vec e vec. Njohësit e ekonomisë po thonë se në rast të thellimit të krizës as Gjermania nuk mund të jetë më strehë e sigurt për euron.

Çdo herë e më shumë nga ata po flasin për fundin e monedhës së përbashkët evropiane. Kreu i Komisionit Evropian Hose Manuel Barroso ka nisur një konsult me 17 vendet e eurozonës për mundësinë e nxjerrjes së bonove të përbashkëta.