Lajme Shqip Saturday, 26 September 2015 20:38

Është koha e duhur që Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të reformohet për të reflektuar në shpërndarje të vërtetë të fuqisë nëpër botë në shekullin e 21-të, ka thënë të shtunën Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

“Na duhet një metodë e re e punës për zgjidhjen e problemeve”, ka thënë Merkel, raporton Reuters. “Kjo e bën të domosdoshme reformën e Këshillit të Sigurimit, reformë e cila do të reflektonte në fuqinë reale në botë më mirë se që është gjendja sot”.

Ky apel i Merkelit erdhi gjatë takimit me homologët e saj nga Brazili, India dhe Japonia.

“Duhet të veprojmë me shumë mençuri”, shtoi ajo, sipas përmbledhjes së publikuar nga mediat gjermane. “Na duhen aleatë në arritjen e synimit tonë për reforma”, transmeton Koha.net.

Merkel po qëndron në New York për një takim/samit të liderëve botërorë mbi zhvillimet globale në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Këshilli i Sigurimit, organi më i fuqishëm i OKB-së, ka 15 anëtarë, pesë nga të cilët të përhershëm. Ka aftësinë e nxjerrjes së rezolutave ligjërisht të detyrueshme që vënë sanksione apo autorizojnë veprime ushtarake për të fuqizuar vendimet e veta.

10 anëtarët tjerë të përkohshëm zgjedhen çdo dy vjet nga Asambleja e Përgjithshme.

Britania, Kina, Franca, Rusia dhe SHBA-të, aleatë kyç nga Lufta e Dytë Botërore, janë anëtarë të përhershëm me të drejtë vetoje.

Gjermania, Japonia, India dhe Brazili thonë se bota është krejt ndryshe nga ajo që ka qenë më 1945 dhe Këshilli i Sigurimit duhet të reflektojë në këtë. Gjermania dhe Japonia, që janë fuqi globale financimi dhe top-kontribuues në OKB, thonë se meritojnë ulëse të përhershme në këshill.

Merkel theksoi se atmosfera aktuale është se jo vetëm këto katër shtete nuk pajtohen me strukturën e tanishme por edhe anëtarët tjerë.