Lajme Shqip Friday, 24 August 2012 15:27

Berlin – Gjatë takimit me kryeministrin grek Antonis Samaras, kancelarja gjermane Angela Merkel, theksoi nevojën e respektimit të angazhimeve dhe tha se Gjermania është duke pritur vlerësimin e Trojkës për ecurinë e programit grek. “Ne nuk do të nxjerrim ndonjë përfundim, pa patur në duart tona raportin e Trojkës”, tha ajo. 

“Ne presim që Greqia të zbatojë çdo gjë që ka premtuar dhe unë shpresoj se qeveria greke do të lëvizë në këtë drejtim”, deklaroi kancelarja Merkel. “Ka shumë për të bërë, por unë jam e bindur se do të ketë arritje”, u shpreh Merkel. Ajo tha se Berlini nuk e do një situatë të tillë, por kërkon zgjidhjen e problemeve dhe siguroi se zgjidhja e krizës do të jetë hap pas hapi.

Nga ana e tij, kryeministri grek tha se “Greqia do të punojë në përputhje me detyrimet e saj.” Jam i bindur se raporti i Trojkës do ta konfirmojë këtë; ne do të kemi rezultate jo vetëm në eliminimin e deficitit buxhetor por edhe të deficitit në besueshmëri. Ne jemi njerëz krenarë dhe nuk na pëlqen të varemi nga paratë e huazuara. Ne duam të qëndrojmë në këmbët tona dhe do të kemi sukses”, tha kryeministri grek dhe përsëriti se “Greqia nuk po kërkon para të tjera, por pak kohë për frymëmarrje”. 

Duke iu referuar disa deklaratave që paralajmërojnë daljen e Greqisë nga euro, falimentimin e saj apo që i përshkruajnë grekët si popull që nuk punon, Samaras tha: “Ndërsa një komb shpenzon kaq vite me sakrifica të mëdha për të parë shenja të rimëkëmbjes, duke përjetuar vitin e pestë të recesionit, deklarata të tilla toksike vetëm sa krijojnë probleme. Iu japin njerëzve përshtypjen se po luftojnë më kot. Ndaj ato duhet të ndalen ngado që vijnë”.

Merkel u përshëndet me një shtrëngim duarsh dhe buzëqeshje me kryeministrin grek Antonis Samaras, i cili nesër paradite do të takojë presidentin francez Francois Holand, në Paris. (LajmeShqip.com)