Lajme Shqip Monday, 05 December 2011 19:51

Paris-Sanksione për vendet që nuk respektojnë rregullat e mbajtjes së defiçitit nën 3 % të GDP-së. Kështu Gjermania dhe Franca, dy ekonomitë më të mëdha të eurozonës, kanë vendosur për ndryshimin e rregullave duke kërkuar një traktat të ri europian.

Gjatë takimit në Paris, presidenti francez Nikola Sarkozi dhe kancelarja gjermane Angela Merkel thanë se shtetet e eurozonës duhet të përballen me më shumë kontrolle ndaj buxheteve të tyre dhe madje edhe me sanksione nëse shkelin rregullat. Sipas tyre  Bashkimi Europian ka nevojë për një traktat të ri për tu përballur më krizën e borxheve në eurozonë.  

Ata thanë se traktati i ri që pritet të miratohet brenda marsit të ardhshem përfshin me shumë kontroll dhe sanksione ndaj vendeve që shkelin rregullat. “Ne duam një traktat për të gjitha 27 vendet anëtare që askush të mos ndjehet I përjashtuar nga lëvizja franko-gjermane. Por jemi gati të vazhdojmë edhe me një traktat të 17 anëtarëve të eurozonës”-tha presidenti francez Sarkozi.

Ndërsa kancelarja Merkel u shpreh se kjo paketë tregon se ne jemi absolutisht të vendosur të bëjmë gjithçka për të mbajtur euron të qëndrueshme dhe si një kontribues të rëndësishëm të stabilitetit europian. Sipas propozimit franko-gjerman traktati i ri që pritet të miratohet brenda marsit të ardhshëm përfshin:

1.Sanksione që aplikohen automatikisht ndaj çdo shteti që thyen rregullin prej 3 % të defiçitit publik.

2. I kërkon vendeve të eurozonës të përfshijnë në buxhetet e tyre “një rregull të artë” kundër rritjes së defiçiteve, dhe këto buxhete do të verifikohen nga Gjykata Europiane e Drejtësisë.

3. Nuk do të ketë futje të euroboneve të përbashkëta

4. Krerët e qeverive të eurozonës do të marrin pjesë në një samit të përmuajshëm për sa kohë do të vazhdojë kriza. (LajmeShqip.com)