Lajme Shqip Sunday, 11 December 2011 19:12

Moskë-Presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev ka refuzuar kërkesat e protestuesve për të mbajtur sërish zgjedhjet parlamentare pas akuzave për vjedhje të votës.  

Medvedev shkroi sot në rrjetin social Facebook, se ai nuk pajtohet me këto slogane dhe kërkesa të protestuesve.

Ai përsëriti se kishte lëshuar udhëzime për kontrollin e të gjitha qendrave zgjedhore në ditën e votimit, për të parë nëse kishte shkelje.

Por ndërkohë grupet nacionaliste ruse kanë dalë sërish në protestë në Moskë duke akuzuar kryeministrin e vendit Vladimir Putin për mashtrim në zgjedhjet parlamentare të javës së kaluar, duke thënë se ai ka vjedhur vota në favor të partisë së tij në pushtet, Rusia e Bashkuar.

Protestuesit mbanin në duar flamujt imperial rus si dhe banderola ku shkruhej “Gadafi u vra, kush e ka rradhën tani?” Tubimi I sotëm vjen pas një ditë protestash në të njëjtin shesh që bashkoi të shtunën mbi 60 mijë vetë, që përfaqësonin lëvizje të ndryshme politike.

Të gjithë kërkojnë ti jepet fund sundimit të kryeministrit rus Vladimir Putin dhe ripërsëritjen e zgjedhjeve të 4 dhjetorit pas akuzave për mashtrim dhe vjedhje votash. (LajmeShqip.com)