Lajme Shqip Thursday, 29 November 2012 17:59

Athinë – Pas anullimit të vizitës së ministrit të Jashtëm grek në Tiranë për festën e 100-vjetorit të Pavarësisë për shkak të deklaratës së kryeministrit Berisha, reagimet kanë vazhduar në Greqi në faqet e shtypit grek, si dhe në të gjitha mediat televizive të vendit.

“Tension i befasishëm me Tiranën”, shkruan e përditshmja “Ta Nea”. Në faqen e parë “Kathimerini” ka titull “Referime irredentiste të Berishës”. Gazeta pro-qeveritare “Eleftheros Tipos” e konsideron si “sfidë të pabesueshme” deklaratën e Berishës, sipas të cilit “Shqipëria e Madhe arrin deri në Prevezë”.

Gjithashtu, edhe gazeta “Demokracia” shkruan se: ”Lindi një temë e madhe me Shqipërinë”, ndërsa “Ellada”, me titullin “Berisha kërkon edhe Prevezën në Shqipërinë e Madhe”, komenton se “shpërthimi i nacionalizmit në Ballkan lind rreziqe për të gjithë fqinjët”.

Reagimet në Greqi kanë filluar sapo Ministria e Jashtme greke publikoi në faqen e saj anullimin e vizitës së ministrit Avramopoulos, duke u pasqyruar në të gjitha edicionet e lajmeve kryesore të kanaleve private dhe shtetërore.

Sipas versionit elektronik të gazetës “To Vima”, Sali Berisha ndodhej në Vlorë kur midis të tjerash ka deklaruar se, “Shqipëria e Madhe shtrihet që nga Preveza deri në Podgoricë”, duke shtruar kështu çështjen e Çamërisë.

Gjithashtu, në këtë artikull theksohet edhe deklarata e Kryeministrisë shqiptare, në të cilën nënvizohet se Berisha i referohej një konteksti historik të 100 viteve më parë dhe nuk kishte asnjë pretendim territorial ndaj fqinjëve të jugut.

Për një incident diplomatik bën fjalë edhe faqja elektronike e gazetës “Proto Thema”, që komenton se pas fjalëve të Berishës, Kryeministria shqiptare ka shpejtuar të korrigjojë dëmin e shkaktuar me deklaratën për shtyp.

Reagime ka pasur edhe nga partia e tretë e koalicionit qeveritar, e Majta Demokratike, sipas të cilës, “deklaratat zjarrvënëse të Sali Berishës janë jashtë çdo logjike bashkëpunimi në Ballkan, shembin themelet e një bashkëjetese të popullit shqiptar dhe atij grek dhe i japin ushqim nacionalizmit të tejskajshëm. Ato janë të rrezikshme dhe të dënueshme”.

Analistë në kanalet televizive, si dhe politikanë të qarqeve të ndryshme në Greqi kanë komentuar në rrjetet sociale se deklarata e Berishës është bërë në kuadër të zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen pas disa muajsh, në një përpjekje për të rritur fuqinë elektorale të partisë së tij.(T.Ch)