Lajme Shqip Wednesday, 16 March 2011 16:55

 Tokio – Mbreti i Japonisë, Akihito, në fjalimin e pazakontë drejtuar kombit shprehu brengosjen e thellë për pasojat e tërmetit të fuqishëm, cunamit dhe për krizën bërthamore me të cilën po përballet vendi. Mbreti Akihito iu bëri thirrje japonezëve që të mos dorëzohen dhe të mos i humbin shpresat, por të angazhohen për kthimin e normalitetit të vend.

“Jam thellë i goditur nga lajmet që vijnë nga zonat e goditura. Tani situata me centralet bërthamore është ajo që duhet të kemi kujdes. Shpresoj se me përpjekjet e njerëzve që janë përfshirë , do të evitohet keqësimi i situatës”, tha ai.

Fjala e perandorit japonez drejtuar kombit erdhi njëkohësisht me njoftimet për shpërthime të reja në centralin bërthamor, ‘Fukushima’, që shtuan frikësimet nga rrezatimi, kurse kushtet e motit vështirësuan operacionet e shpëtimit në të cilat janë përfshirë më shumë se 80 mijë persona nga Japonia dhe vende të ndryshme të botës.