Lajme Shqip Tuesday, 06 December 2011 08:49

Moskë – Disa mijëra njerëz kanë protestuar në rrugët e Moskës duke bërtitur “Poshtë Putin”, “Rusia pa Putin” apo “Revolucion”, pasi vëzhguesit ndërkombëtarë folën për shkelje flagrante në zgjedhjet parlamentare në Rusi.

Disa përleshje u raportuan dhe policia ruse tha se ka arrestuar së paku 400 protestues.

OSBE-ja deklaroi më parë se votimi ishte manipuluar në favor të partisë së kryeministrit Vladimir Putin, “Rusia e Bashkuar”.

Ndërsa në deklaratën e tij, presidenti rus Dimitri Medvedev këmbënguli se zgjedhjet ishin të drejta dhe demokratike.

Megjithatë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Karni, shprehu “shqetësime serioze” për këtë çështje.

“Rusia e Bashkuar” fitoi zgjedhjet, por me një rënie të dukshme të mbështetjes së popullit. Zyrtarët e zgjedhjeve thanë se partia kishte nën 50% të votave, nga 64% në vitin 2007. “Rusia e Bashkuar” ka humbur 77 vende në Parlament, në një proces zgjedhor i cili shihej si një provë për popullaritetin e Putinit.

OSBE-ja vuri në dukje manipulimet flagrante në zhvillimin e zgjedhjeve, të tilla si mbushja e kutive të votimit.