Lajme Shqip Sunday, 07 August 2011 10:35

Shkup – Më shumë se 1.250 është shifra e nxënës shqiptarë që evidentohen nga Enti Republikan i Statistikave në kategorinë e nxënësve shqiptarë, por që arsimin fillor nuk e ndjekin në gjuhën shqipe.

Konkretisht, sikurse qëndron në raportin e ERS-së, nga klasa e parë deri në të tetën – numërohen gjithsej 133.468 nxënës në paralelet maqedonase. Prej tyre, 112.272 janë të përkatësisë maqedonase, 1.230 të përkatësisë shqiptare, 3.115 turke, 9.710 rome, 400 vllehe, 1.718 serbe, 2.002 boshnjak, 2.989 të përkatësive të tjera, 15 të papërcaktuar dhe 17 nxënës evidentohen me etnitet të panjohur.

Në vitin shkollor 2009/2010, periudhë kjo në të cilën është bërë evidentimi i numrave të referuar janë shënuar edhe 24 nxënës shqiptarë, por që mësimin e ndjekin në gjuhën turke. Në paralelet shqiptare ndërkaq, figurojnë 69.922 nxënës.

E analizuar për nga shuma e nxënësve shqiptarë, sipas përkatësisë etnike e që në total është 1.254 nxënës, pjesëmarrja e shqiptarëve në arsimin fillor është mbi 33.5 për qind. Konkretisht duke llogaritur edhe ata që ERS i ka regjistruar si shqiptarë, por që mësojnë maqedonisht apo turqisht, numri deri vitin e kaluar numri o nxënësve shqiptarë ishte 70.069 nga klasa e parë deri në të tetën. E përpjesëtuar me 208.980 sa është numri në total i të gjithë nxënësve të shkollave fillore, numri i nxënësve shqiptarë është 33.5 për qind.

Përqindja e maqedonasve, nga ana tjetër nuk tejkalon as shkallën e 53 përqindëshit. Nga klasa e parë deri në të tetën, sipas përkatësisë etnike figurojnë 112.293 nxënës ose 53.7 për qind. Rritet dukshëm përqindja në “e maqedonasve” në arsimin e mesëm edhe atë për rreth 10 për qind. Kjo, për shkak të reduktimit të shkollimit në tri gjuhë: maqedonisht, shqip dhe turqisht. Të gjithë ata që në tetëvjeçare kanë mësuar në gjuhën rome, vllahe, serbe dhe boshnjake për mungesë të paraleleve në këto gjuhë, arsimin e mesëm e regjistrojnë në gjuhën maqedonase. Ka madje edhe shumë shqiptarë, sidomos në rrethet e Shkupit, Velesit, Prilepit, Prespës dhe Ohrit që për të njëjtat motive, janë të detyruar të regjistrohen në paralelet maqedonase.

Kjo është arsyeja që numri i nxënësve në paralelet më mësim në gjuhën maqedonase është 58.611. Kjo është 62.1 për qind e numrit në total të nxënësve të rregullt të shkollave të mesme e që kap shifrën prej 94.284 nxënës, për këtë arsye pjesëmarrja e maqedonasve nga 53.7 për qind në arsimin fillor ngjitet në 62.1 për qind në arsimin e mesëm. Në këtë nivel shkollimi, pjesë e sistemit arsimor janë edhe shkollat private. Në vitin 2009/2010, shkollimin e mesëm privat e ndiqnin 1.481 nxënës, prej të cilëve 578 maqedonas, 539 shqiptarë 182 turq, 3 romë dhe 179 të tjerë. (LajmeShqip.com)