Lajme Shqip Wednesday, 07 November 2012 19:15

Athinë – Prej orës pesë të pasdites së të mërkurës mijëra qytetarë janë grumbulluar në qendër të Athinës duke iu përgjigjur thirrjes së dy sindikatave të sektorit publik dhe atij privat, në ditën e dytë të grevës së përgjitshme në vend, që të vazhdojnë protestën tek sheshi Sintagma para parlamentit grek brenda të cilit diskutohen dhe pritet të miratohen në mbrëmje vonë masat më të rrepta ekonomike në historinë e vendit.

Protestuesit kanë qëlluar me gurë, sende të tjera të forta dhe bomba molotov në drejtim të forcave të shumta të policisë, ndërsa kjo e fundit është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës për shpërndajren e tyre.

Mijëra persona vazhdojnë të qendrojnë përballë dhe përreth godinës së parlamentit, ndërsa vendi është i paralizuar nga greva e përgjithshme 48 orëshe për të kundërshtuar masat anti-krizë të qeverisë.

Projektligji i të ashtuquajturit “Memorandumi 3 i Ndihmës” është hedhur për miratim si një nen i vetëm në mënyrë urgjente pavarësisht së përbehet nga qindra faqe me reforma administrative dhe masa financiare që prekin kryesisht shtresën e varfër dhe të mesme të popullsisë.

Midis të tjerash reduktime të reja nga 5 deri në 15% të pensioneve, të pagave të sektorit shtetëror dhe atij privat, heqjen e përfitimeve shtesë, rritjen nga 65 në 67 vjet të moshës së pensionit për të gjithë, pushimin nga puna të 27.000 nënpunësve shtetërore deri në fund të 2013, reduktime të ndjeshme në sektorët e shëndetësisë dhe arsimit, rritjen e re të taksave.

Kryeministri grek u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të aprovojnë masat e dhimbshme, pasi në rast të kundërt vendi shkon drejt katastrofës. Por duket se vetëm rreth 154 nga 177 deputetë e koalcionit trepartiak në parlamentin 300 vendësh pritet të votojnë pro, një shenjë e qartë kjo e klimës që mbizotëron.

Ky votim do të pasohet nga ai i së dielës për projektbuxhetin e vitit 2013 dhe të dyja së bashku pritet që të jenë edhe një votëbesim i ri për qeverinë Samaras në momentin më të vështirë të saj. Nëse në të dy rastet votohet pro, Greqia ka shumë gjasa  të marrë në 12 nëntor dritën jeshile nga samiti i ministrave të Eurozonës për lëvrimin e këstit prej 31.5 miliard euro, shumica e të cilit shkon për rikapitalizimin e bankave të vendit.

Sot Komisioni Europian ka deklaruar se Greqia mund të dalë më herët nga recensioni shumëvjecar i ekonomisë së saj, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2014 me një ritëm zhvillimi prej 0,6%. Por sic  ka theksuar Komisioneri për Ekonomine Olli Rehn cdo gjë varet se si do të votojë Athina.

Ndërkohë opozita u ka bërë thirrje qytetarëve të qendrojnë jashtë parlamentit deri në momentin e votimit. Mijëra policë dhe forca speciale janë në gjendje gadishmerie për të shpërndare turmën me makinat e ujit me presion apo me bombat me gaz lotsjellës.(LajmeShqip.com)