Lajme Shqip Tuesday, 10 April 2012 12:20

Uashington – Marsi i vitit 2012 është shënuar më i ngrohtë në SHBA që kurse kanë filluar të bëhen matjet e temperaturës në këtë vend, kumtuan meteorologët nga Administrata nacionale amerikane për oqeane dhe atmosferë.

Sipas kësaj Administrate, temperatura mesatare në SHBA muajin e  kaluar ka paraqitur 10,6 gradë Celsius, me të cilin ka rrëzuar rekordin e deritanishëm të regjistruar në vitin 1910.

Meteorologët theksojnë se temperatura nuk ishte më e lartë nga mesataret vetëm gjatë muajit mars, por se trendi i këtillë shënohet prej fillimit të vitit, ku temperatura mesatare në tremujorin e parë të vitit 2012 ka paraqitur 5,5 gradë, që paraqet mot jashtëzakonisht të ngrohtë.

Edhe pse moti i ngrohtë i gëzon amerikanët, meteorologët shprehin brengosje për shkak të ndryshimeve të tilla.

“Kjo është mjaft e çuditshme dhe nuk është mirë. Megjithëse moti i butë të jep ndjenjën e kënaqësisë, kjo është një ndjesi jo e këndshme pasi e kuptojmë që normalisht nuk duhej të ishte kështu “, është shprehur eksperti për ndryshime klimatike nga Qendra nacionale për hulumtime të atmosferës, nga shteti federal amerikan i Kolorados, Xheri Mill.

Një qëndrim të ngjashëm ka mbajtur edhe eksperti i Qendrës nacionale nga Karolina veriore, Xhejk Kouç, i cili konsideron se ekzistojnë më shumë faktorë të cilët kanë ndikuar në rritjen e temperaturave mesatare, përfshirë këtu edhe fenomenin klimatik “La Ninja”.

Kouç thotë se si pasojë e ngrohjes globale në vitet në vijim gjithnjë e më tepër paraqiten temperatura të jashtëzakonshme, duke cekur se ky dimër ishte i ngrohtë vetëm në Amerikën Veriore, ndërsa Evropa ishte e kapluar nga i ftohti ekstrem.