Lajme Shqip Monday, 28 March 2011 15:56

Shkup – Shumica e qytetarëve të Maqedonisë apo 53,3 për qind, vlerësojnë se në vend ka diskriminim dhe se më së shpeshti kjo ndodh për shkak të përkatësisë politike dhe etnike. Diskriminimi i përceptuar i regjistruar është më shumë se dy herë më i madh se sa i përjetuari si viktimë dhe dëshmitar, ndërsa proporcioni i tyre është 67,7 ndaj 31,9 për qind.

Këtë e tregon anketa të cilën e bëri Instituti për Demokraci “Societas Civilis” për nevojat e Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN), të zbatuar në dhjetor të vitit të kaluar, në ekzemplarë reprezentativë prej 1.074 të anketuarve në bazë të gjinisë, përkatësisë etnike dhe rajoneve.

Në hulumtimin “Diskriminimi në Maqedoni në bazë të përkatësisë etnike”, theksohet se sfera më të shpeshta të diskriminimit, sipas përvojave personale të qytetarëve, janë gjatë punësimit dhe shërbimeve në administratën publike, veçanërisht në polici dhe shëndetësi, por edhe në kafe-bare, diskoteka, pishina dhe në arsim.

Madje, mbi 50 për qind të të anketuarve, vlerësojnë se diskriminim ka në sektorët shëndetësi, arsim, jurisprudencë dhe polici, ndërsa shqiptarët vlerësojnë se ka diskriminim më të theksuar për shkak të përkatësisë etnike në bujqësi dhe kulturë.

Madje 79 për qind e qytetarëve mendojnë se diskriminimi në sferën e punësimit është më i shpeshtë në sektorin shtetëror, për dallim prej 54 për qind, të cilët vlerësojnë se ai është më i shpeshtë në sektorin privat. Në rast të diskriminimit në bazë të përkatësisë etnike, nëse ju ndodh ose jeni dëshmitarë i një ngjarje të këtillë, do ta paraqisnin 72 për qind e të anketuarve, edhe pse kjo korrespondon me numrin e rasteve të paraqitura te Avokati i Popullit.

Nga të anketuarit 57,9 për qind do të pajtoheshin që një pjesëtar i një bashkësie tjetër fetare të zgjedhet në funksion të lartë politike, që është më pak në krahasim me anketën paraprake nga viti 2009 kur numri i tyre ishte 66 për qind. (Lajmeshqip.com)