Lajme Shqip Friday, 27 April 2012 17:32

Shkup – Në selinë e NATO-s në Bruksel sekretari i shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes, Petar Esmerov sot me këmbimin e letrave e nënshkroi Marrëveshjen midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe Organizatës së NATO-s për konsultime, komando dhe kontroll lidhur me bashkëpunimin në sferat e konsultimit, komandës, kontrollit, komunikimeve, hetimit dhe vëzhgimit.

Nënshkrimi i Marrëveshjes, siç deklaroi Ministria e Mbrojtjes, është rezultat i angazhimeve të Republikës së Maqedonisë në frymën e përgatitjeve për anëtarësim si dhe një shembull i thellimit permanent dhe përforcimit të bashkëpunimit me Aleancën.

Aktiviteti i sotëm, shtohet në kumtesë, paraqet fillimin e bashkëpunimit të zgjeruar të mëtejmë midis Republikës së Maqedonisë dhe Agjencisë së NATO-s për konsultime, komandë dhe kontroll.

Sekretari i shtetit Esmerov, i cili e kryesonte delegacionin e Ministrisë së Mbrojtjes, ka theksuar se kontributi i Republikës së Maqedonisë si anëtare e NATO-s do të ishte akoma më i madh.

Agjencia e NATO-s për konsultime, komandë dhe kontroll siguron dhe prodhon projekte, këshill shkencor dhe teknik dhe mbështetje për strukturat ushtarake të Aleancës, vendet anëtare dhe partnerët lidhur me çështjet të cilat kanë të bëjnë me hulumtimin operativ, ndjekjen, komandën ajrore dhe kontrollin, duke përfshirë edhe mbrojtjen e projektileve, luftës elektronike dhe paralajmërimit të hershëm dhe kontrollin, si dhe sistemet komunikuese-informative. (LajmeShqip.com)