Lajme Shqip Friday, 30 November 2012 15:38

TIRANE – Inspektoriati Shtetëror i Arsimit në Maqedoni ka dënuar disa drejtorë të shkollave fillore dhe të mesme të cilët kanë vendosur të bëjnë pushim zyrtar në 28 nëntor për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Mësuesit janë dënuar me pezullim nga puna ose gjoba që variojnë nga 2500-3000 euro. Të ndëshkuar janë mësuesit shqiptarë në shkollat në Shkup, Tetove dhe Gostivar. Në njoftimin me shkrim, Inspektoriati Shtetëror i Arsimit nuk jep informata të sakta se sa shkolla dhe cilat shkolla e kanë ndërprerë mësimin për festën e 28 nëntorit.

Në shkresën e Inspektoriatit Arsimor, veç pushimit për 28 nëntor citohet se disa shkollave u janë ndërruar dhe emrat, duke u vendosur emra shqip. Në Dibër është ndryshuar emri i gjimnazit “Zdravko Çoçkovski” në “28 Nëntori”, kurse shkolla fillore “Vëllazërim bashkimi” është emëruar “Penestia”. Emër të ri ka edhe shkolla “7 marsi”, nga komuna e Çairit, e cila në të ardhmen do të quhet “Adem Jashari”.

Inspektorati Shtetëror i Arsimit ka ngritur padi ndaj tre drejtorëve të shkollave dhe iu ka dhënë afat prej tetë ditësh që t’i kthejnë emrat e vjetër të shkollave. Në të kundërtën çështja do të zgjidhet në gjykatë. (LajmeShqip.com)