Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 17:06

Shkup – Presidenca hungareze me Bashkimin Evropian (BE) insiston që Maqedonia të fillojë negociatat me BE-në para se të zgjidh problemin me Greqinë por nuk saktëson se si është e mundur të realizohet një gjë e tillë në kushte të vetos greke.

Për kryeministrin hungarez Viktor Orban, kontesti për emrin paraqet absurd dhe sipas tij, Maqedonia duhet së pari të fillojë negociatat dhe më pas të zgjidh çështjen.

“Nëse një shtet i plotëson kushtet dhe detyrimet duhet t’i jepet mundësia këtij shtetit ti fillojë negociatat ndërsa pastaj të gjejë marrëveshje me vendin anëtar në BE. Të mos lejojmë fillim të negociatave për shkak të një konflikti politik është strategji fatkeqe politike”, ka thënë Orban të enjten në Bruksel.

Megjithatë, ai nuk ka saktësuar strategjinë të cilën do ta përdorë për ti siguruar Maqedonisë datë duke e patur parasysh se një gjë e tillë nuk arrihet pa pajtimin e palës greke.

Presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, deklaratën e Orbanit e ka cilësuar si vërtetim të përkrahjes së premtuar nga Hungaria se do të ndihmojë vendin të marr datë për bisedime me BE gjatë kryesimit të tyre me BE-në. Ivanov ka siguruar se gjatë vizitës së tij në Hungari javën e kaluar zyrtarët hungarez i kishin premtuar se çështjen e marrjes së datës do ta vendosin në rend dite në Samitin e BE-së në qershor kur dhe mbaron kryesia e tyre me familjen evropiane.

Megjithatë, njohësit e proceseve integruese mendojnë ndryshe. Sipas tyre, edhe pse kryeministri hungarez Orban i ka premtuar presidentit Ivanov se do të përkrahë Maqedoninë të merr datë për negociata, sipas tyre, asnjë vend kryesues me BE-në nuk është aq i fuqishëm ti caktojë datë negociatash Maqedonisë pa e zgjidhur kontestin e emrit. Qeveria nuk duhet të shpresojë se vendet të cilat janë përkrahës tanët do të na kryejnë punën, sepse bazuar në atë që ka ndodhur deri më tani as Sllovenia as Suedia ose Çekia nuk arritën të na sigurojnë datën edhe pse haptazi shprehën përkrahjen e tyre ndaj Maqedonisë.

Sipas tyre, as Hungaria nuk do të korrë sukses ndërsa përkrahja e Orbanit është më shumë deklarative se sa thelbësore andaj ajo që i mbetet vendit është sa më shpejtë të arrijë kompromis me Greqinë.

”Këto i takojnë atyre deklaratave inkurajuese të cilat lehtësojnë zgjidhjen e çështjes së emrit që kur do të vijë deri te zgjidhja mos të duket se ka qenë kushtëzim për anëtarësi. Edhe pse në fakt çështja e ndryshimit të emrit është kushtëzim, por kryeministri Orban në këtë mënyrë tenton të zbutë këtë përshtypje”, ka vlerësuar analisti Mersel Bilalli.

Ndërkaq, drejtoresha e Institutit për integrime evropiane, Malinka Jordanova ka vlerësuar se deklarata e Orbanit mirë tingëllon por është vështirë se do të realizohet.

“Duhet shikuar realizueshmëria e deklaratave të tilla. Nëse analizojmë situatën do të shohim se nuk është e realizueshme vendi të merr datë bisedimesh me BE-në deri në qershor gjatë presidencës hungareze. Prandaj vlerësoj se deklaratat e tilla janë thjeshtë një mendim personal i Orbanit, sepse realisht shihet që Hungaria nuk ka bërë ose nuk ka punuar të gjejë ndonjë zgjidhje spektakolare për Maqedoninë. Aktualisht, problemi më i madh është pikërisht ky kontest i emrit me Greqinë”, ka deklaruar Jordanova.

Ndërsa, sipas Petar Dimshoskit, ish Sekretarit shtetëror në Sekretariatin për çështje evropiane ka gjasa që çështja e Maqedonisë aspak të mos gjendet në Samitin e qershorit sepse fjalën kryesore e mban Këshilli i BE-së i cili deri më tani dy herë ka qëndruar në anën e Greqisë e cila mban qëndrimin e fuqishëm, zgjidhje të emrit pastaj negociata.

”BE-ja nuk dëshiron të vijë në një situatë ku do të diskutojë për ndonjë çështje për të cilën nuk është plotësuar kushti kryesor. Hungaria si kryesues mund të angazhohet për të vendosur datën e Maqedonisë në rend dite por është më se e qartë se kjo nuk do të ndodhë”, ka thënë Dimshoski.