Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 17:09

Shkup – ”Maqedonia e jonë”, është propozimi i euro-deputetit Jelko Kacin për zgjidhje të përbashkët dhe të pranueshme të kontestit dy dekadash mes Shkupit dhe Athinës për emërtimin e Maqedonisë. Eurodeputeti slloven i cili është nënkryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian (PE) për Evropën Juglindore, në një konferencë për Ballkanin Perëndimor e organizuar nga PE dhe Presidenca hungareze me BE-në, ka bërë thirrje që sa më shpejt të zgjidhet çështja e emrit të Republikës së Maqedonisë sepse kontesti e frenon euro-integrimin e Maqedonisë gjashtë vjet.

Por, cili është komenti i partive politike në vend lidhur me këtë propozim? Për ish-kryeministrin e Maqedonisë, Vllado Buçkovski propozimi i tillë është absurd. ”Maqedonia e jonë, apo e juaj, apo ku ta di unë është një propozim absurd. Mendoj se Kacin duke u munduar të ndihmojë dhe të jep zgjidhje alternative ka bërë një propozim absurd. Kjo domethënë se edhe euro-parlamentarët nga mos iniciativa e Qeverisë gjenden në pozita të tilla, të vështira të kërkimit të zgjidhjeve dhe ja, japin emërtime absurde”, ka thënë deputeti i LSDM-së, Buçkovski.

Nga ana tjetër, në Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), nuk kanë dashur të komentojnë propozimet e tilla, duke thënë se ata nuk mund të komentojnë propozime që nuk vijnë nga palët e involvuara në kontest.”Nuk mund të komentoj një propozim që nuk vjen nga palët pjesëmarrëse në negociata, pra, nga negociatori dhe shtetet palë në proces”, ka thënë zëdhënësja e BDI-së, Ermira Mehmeti-Devaja.

Ndërkohë, nga Demokracia e Re (DR) kanë thënë se anëtarët e saj ende nuk e kanë shqyrtuar propozimin konkret, por janë të bindur se kontesti medoemos të zgjidhet nga Qeveria e re menjëherë pas zgjedhjeve pa referendum. ”Ende nuk e kemi debatuar këtë propozim të Kacinit, por do të kisha thënë se në parim duhet të obligohet Qeveria e ardhme pa marrë parasysh se cila nga partitë do të jetë në pushtet të zgjidhin kontestin e emrit. “Nuk ka nevojë për referendum, sepse kjo Qeveri e ardhme do të duhet të ketë legjitimitetin dhe përgjegjësinë për marrjen e vendimeve kyçe për ardhmërinë e Maqedonisë dhe qytetarëve të saj”, ka thënë deputetja e DR-së, Flora Kadriu. Partitë e tjera nuk kanë dashur të komentojnë propozimin e Kacinit.

Ndryshe, propozimet për emërtimin e Maqedonisë në parim janë dhënë nga Metju Nimic i cili është ndërmjetësues i negociatave mes Maqedonisë dhe Greqisë nën udhëheqjen e Kombeve të Bashkuara, gjatë këtyre viteve në lojë kanë qenë propozimet si “Maqedonia Veriore”,“Republika e Maqedonisë (Shkupi)”,”Maqedonia e Vardarit”,”Maqedonia e sipërme”,”Maqedonia e Re”.

“Sot dua të jem provokues. Dua t’i detyrojë dy palët që ta ndryshojnë pikvështrimin e tyre ndaj problemit. Nga ky vend sot propozoj që Shkupi dhe Athina ta shqyrtojnë propozimin alternativ të emrit ‘Maqedonia Jonë’. Pse mos ta quajmë “Maqedonia Jonë”? Jo Maqedonia e Bullgarisë apo e Greqisë, por e Maqedonia e Jonë. Ejani ta zgjidhim këtë problem që të ecim përpara në rrugën e integrimeve euro-atlantike. Në rrethinë ka tre rajone që e kanë emrin Maqedoni. ‘Maqedonia Jonë’ sipas definicionit mohon çfarëdo qoftë aspirata territoriale të IRJM-së aktuale ndaj këtyre rajoneve. Me këtë emër të gjithë do të mund të jetojnë”, kishte thënë Kacin.

Sipas tij, nëse propozimet paraprake nuk kanë qenë frytdhënëse, me këtë propozim të ri duhet të arrihet sukses.