Lajme Shqip Saturday, 27 August 2011 09:23

Shkup – Të zgjedhurit e popullit në Maqedoni kanë ratifikuar Marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë dhe të Serbisë për rregullimin e regjimit kufitar lokal.

Me këtë parashihet hapja e kalimit kufitar lokal Llojan –Miratoc. Kjo vjen si rezultat i marrëveshjes së nënshkruar midis sekretarit shtetëror pranë Ministrisë për Punë të Jashtme të Maqedonisë, Abdulkadër Mehmeti, me ambasadorin serb, Tomisllav Gjurin, ndërsa kjo, kanë bërë të ditur burime të Portalit LajmeShqip.com, nënkupton hapjen e vendkalimeve ku do që ka nevojë.

Deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili, ka thënë se në premtimet e para elektorale të BDI-së është thënë se çështja e parë që do ta bëjmë për banorët e kësaj zone do të jetë pikërisht hapja e këtij kalimi kufitar.

“Ne presim së shpejti që ky kalim kufitar të bëhet realitet. Kjo është kërkesa jonë e parë që të përshpejtohen punët rreth fillimit të asfaltimit të rrugës Kumanovë-Llojan e pastaj prej fshatit Llojan deri në kufi, që është një gjatësi 1 kilometër”, ka thënë Rexhail Ismaili, nga BDI.

Ndërkohë, sekretari shtetëror pranë Ministrisë për Punë të Jashtme, Abdulkadër Mehmeti, ka thënë se kjo marrëveshje definon brezin kufitar prej 30-35 km, sipas Rezolutës së BE-së për qarkullim të lirë, që definohet nga dyja anët.

“Kjo vlen për banorët e zonës kufitare që kanë qëndrim legal në atë zonë së paku 1 vjet. Ata mund të kalojnë kufirin kudo që të jetë, sipas rregullave mirë të definuara në marrëveshje. Ata nuk e kalojnë kufirin me pasaporta, por me leje për qarkullim kufitar”, ka thënë sekretari shtetëror pranë MPJ-së Abdulkadër Mehmeti.

Ai ka thënë se rregullat për këtë janë të njohura dhe nevojitet që personi të ketë leje qarkullimi, të mos e ketë të ndaluar hyrjen apo të mos jetë person që rrezikon sigurinë. Pra, lejen për qarkullim e japin organet përkatëse, konkretisht MPB, përmes komunës ku jeton, e cila do t’i përmbajë të dhënat si emër e mbiemër, fotografi e të tjera. (LajmeShqip.com)