Shkup – Ambasadori i OSBE-së në Maqedoni, Ralf Bret ka deklaruar se situata në Maqedoni është e tensionuar, por vendi është i sigurt.
Ai këtë e ka theksuar në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, duke komentuar kryesisht vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit dhe ndikimin e saj në situatën e përgjithshme të sigurisë në Maqedoni.
“Jam i tmerruar nga këto vrasje të tmerrshme dhe fuqimisht i kemi dënuar. Nuk mendoj se mund të themi se situata është e rrezikshme, por mund të jetë e tensionuar, ashtu që do të ishte si shprehje më e mirë, por sidomos shkalla e lartë e tensioneve në rajonin ku kanë jetuar viktimat”, ka theksuar ambasadori Bret.
Duke komentuar protestat lidhur me vrasjen, ai ka shtuar se çdokush ka të drejtën e protestës, por ato nuk duhet të keqpërdoren për provokime dhe aksione të dhunshme.
Ai megjithatë ka siguruar se Maqedonia është një shtet i sigurt, ku njerëzit ndjehen të lirë dhe punojnë. (INA)