Lajme Shqip Friday, 25 November 2011 13:06

Shkup – Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Musa Xhaferi ka realizuar takim me ushtruesin e detyrës Shef i Delegacionit të BE-së në Shkup, Robert Liddell.

Në fillim të takimit u vlerësua lartë bashkëpunimi i mirë mes Sekretariatit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe zyrës së BE-së në Shkup, duke shprehur gatishmëri për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.

Ushtruesi i detyrës Shef i Delegacionit të BE-së në Shkup, Robert Liddell ritheksoi mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht të KE-së për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe mbështetjen e zbatimit të obligimeve që kanë mbetur nga ky dokument paqësor. Liddell, përmendi që zyrtarët e lartë në Bruksel, përfshirë këtu edhe Komisionarin për zgjerim Fule, kanë mbetur shumë të kënaqur nga konferencat e organizuara për të shënuar 10 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit.

Zëvendëskryeministri Xhaferi përshëndeti mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare në procesin e implementimit të Marrëveshjes kornizë, dhe elaboroi mbi hapat e nevojshëm që duhet të ndërmerren në të ardhmen drejt implementimit të MO-së, për përfaqësimin e drejt dhe adekuat dhe arritjen e përfaqësimit në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, decentralizimin, përdorimin e gjuhëve etj.

Prioritet i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë mbetet anëtarësimi në familjen evropiane dhe në këtë drejtim vazhdojmë me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe të gjitha reformave që kërkohen për realizimin e këtij qëllimi, theksoi në takim zëvendëskryeministri Xhaferi.