Lajme Shqip Friday, 20 April 2012 14:50

Kreshovë – Cvetan Stevkovski, vëllai i Borçe Stevkovski nga Kreshova, njërit prej pesë të rinjve të vrarë në Smilkovc, thotë se nuk beson që vrasësit e vëllait të tij, janë shqiptarë. 

“Nga ana jonë nuk ka urrejtje ndaj shqiptarëve. Unë kam miq shqiptarë edhe vëllai im i ndjerë kishte miq shqiptarë. Ne akoma kontaktojmë me ata, edhe në varrimin e vëllait tim erdhën shqiptarë. Kam miq nga të gjitha nacionalitetet dhe urrejtja nuk mbizotëron tek unë. Tek unë urrejtja është vetëm ndaj vrasësve”, theksoi Cvetan Stevkovski, vëllai i peshkatarit Borçe Stevkovski, njëri nga 5 të vrarët në Smilkovc.

Sipas tij vrasësi është vrasës dhe pa u identifikuar nuk mund të thuhet se ai është shqiptar, maqedonas apo cigan.

“Nuk duam që të  përhapim urrejtje mes nesh njerëzve. Duam bashkëjetesë, kërkojmë që të kapen vrasësit dhe të dënohen, pa marrë parasysh se çfarë janë. Nuk mund të themi se çfarë janë, por mund të them se tim vëlla e vranë. Një njeri i pafajshëm është vrarë, ndërsa kush e ka vrarë dhe si e kanë vrarë nuk e dimë akoma”, thotë vëllai i të ndjerit Borçe Stevkovski.

Mediat serbe gjatë gjithë kohës duke u thirrur në burime të ndryshme, përpiqen që autorët e vrasjes ë pesë të rinjve ti nxjerrin shqiptar. Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë i ka përgënjeshtruar ato informata. (LajmeShqip.com)