Lajme Shqip Sunday, 03 April 2011 09:26

Shkup – Pa asnjë votë nga opozita, shumica parlamentare ka vendosur vetë rregullat zgjedhore duke votuar të shtunën Kodin zgjedhor. Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), dhe ajo Liberaldemokrate (PLD), kanë qenë diskutantët e vetëm nga opozita që kanë debatuar në seancën plenare, duke mos u pajtuar me atë që është propozuar dhe për një arsye të tillë nuk kanë votuar Kodin zgjedhor. Me këtë, në Maqedoninë pluraliste është hera e parë që Kodi zgjedhor të sillet pa konsensus.

“Nëse duhet të bëhen reforma në sistemin zgjedhor, unë do ta përsëris qëndrimin e VMRO-së dhe ai është që të sjellim sistem zgjedhor, sipas parimit të shumicës”, ka thënë deputeti Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.

PDSH e Thaçit, ka adresuar fajin te BDI për gjithçka që mund të ndodhë gjatë procesit zgjedhor, duke thënë se janë kthyer në Parlament që ta mposhtin këtë shumicë parlamentare. Partia e Ahmetit, BDI, me kundëreagim:
”Posedoj stenogram dhe vendim të qeverisë kur ju ishit në qeveri dhe sollët vendimin për projektin ‘Shkupi 2014’”, ka thënë deputeti i BDI-sën Tahir Hani.

“Me kemimi një projekt që është bërë derisa ishit në Qeveri, ‘Shkupi 2014’”, që për herë të parë po përmendet në ekspozenë e qeverisë suaj”, ka thënë Imer Aliu nga PDSH. Ndërkohë, për PLD-në, rregullat e votimit të diasporës janë vetëm një populizëm i zbrazët. Ata kanë pyetur se sa kushtojnë tre deputetët të diasporës dhe pse nuk mund të votohet në mënyrë elektronike, dhe e gjithë Ministria e Jashtme të shkojë jashtë vendit.

“Kur ndonjëherë do të mbledhin forcën partitë nga brenda të demokratizohen? Deri kur do të shkojmë me lista të mbyllura”, ka thënë Roza Topuzovska.

Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë Mihajllo Manevski është lavdëruar se këto janë rregulla më demokratike zgjedhore dhe me standarde më të larta.

Madje, sipas Bllagorodna Dulliç, për gjithçka është fajtore opozita, duke ndarë kështu edhe leksione dhe kualifikime.
”Gjatë zbatimit të zgjedhjeve të mos vijmë në situatë, një grup i caktuar ‘hajdutësh’ të na kontestojnë procesin dhe të bëjnë incidente”, ka thënë Bllagorodna Dulliç nga VMRO. Ndërkohë, në ligjin është paraparë që partitë të kërkojnë se nëse figuron ndonjë nga personat e vdekur në lista zgjedhore të fshihen. Kjo, në një farë mënyre, do të ishte edhe argument se lista zgjedhore është e pastruar dhe nuk do të kishte akuza ndërpartiake se kanë votuar edhe të vdekurit.

Më 6 prill do të revidohen njësitë zgjedhore, ndërsa taktizimet me zgjedhjen e kreut të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), vazhdojnë.