Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 15:13

Shkup – Edhe pse organet përkatëse, respektivisht Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) pohon se lista zgjedhore është pastruar dhe plotësuar njëra nga kërkesat më të rëndësishme për mbajtjen e zgjedhjeve, kjo për opinionin ende mbetet enigmë. Njëra nga pyetjet më të shpeshta të cilat parashtrojnë qytetarët dhe analistët politik është se si ka mundësi që Maqedonia me mbi 2 milion banorë, të ketë plotë 1 milion e 840 mijë votues. Kjo tregon se afro 90 për qind e qytetarëve kanë të drejtë vote.

Sipas njohësve të këtyre çështjeve Maqedonia realisht duhet të kenë trup votues i cili duhet të sillet diku afro 1 milion e 400 mijë, dhe jo 1 milion e 840 mijë, çka hap dyshime se në edhe këto zgjedhje do të ketë hapësirë për manipulime.

Lidhur me këtë s’ka përgjigje as vetë KSHZ-ja. Sipas nënkryetarit të KSHZ-së, Subhi Jakupi ky institucion ka mbaruar punën që i ka takuar.

“Numri i trupit votues është rritur për 40 mijë në krahasim me zgjedhjet e vitit 2009. Këtu me siguri se ka ndikuar edhe numri i qytetarëve të cilët janë lindur në vitin 1993 ku numri i atyre është afro 17 mijë, dhe që kanë mbushur 18 vjeç. Këto të dhëna, pra rreth numrit të votuesve i kemi marrë nga Enti Shtetëror Statistikor”, deklaroi Jakupi. Por, analisti politik Osman Kadriu, mendon se në Maqedoni institucionet të cilat janë përgjegjëse për të përcjellë lëvizjen e qytetarëve, dhe pastrimin e listave zgjedhore nuk kanë kryer punën e tyre ashtu siç duhet. Sipas tij, nëse nuk bëhet ndonjë azhurim plotësues i listës zgjedhore atëherë kjo do të hap dilema të mëdha rreth transparencës së rezultateve. “Lista e tanishme e cila është publikuar, dhe e cila thuhet se është e pastruar, është shumë larg realitetit, apo situatës objektive në Maqedoni. Thjesht nuk ka logjikë të ketë aq shumë votues, kur dihet se numri i përgjithshëm është diçka mbi 2 milion”, deklaroi Osmani. Ai apelon që Ministria e Drejtësisë së bashku me qendrat rajonale të marrin masa plotësuese për ta pastruar këtë listë konform asaj që kërkohet, me qëllim që të shkohet në zgjedhje me një listë e cila do ti përmbush të gjitha kërkesat si të partive politike ashtu edhe të qytetarëve. “Nëse kjo nuk bëhet, atëherë mendoj se kjo listë e tanishme do të ngrit shumë tension rreth rezultatit përfundimtarë”, tha analisti Osman Kadriu. Xhemali Saiti, ish nënkryetar i Komisionit për organizimin të regjistrimit gjatë vitit 2002 thotë se paqartësia e numrave nga regjistri i votuesve dhe numri i përgjithshëm i popullsisë rrjedh nga fakti se për këta dy kategori të regjistrave përdoren metodologji të ndryshme, gjatë përpilimit të tyre.

“Derisa Regjistrin e votuesve e përbejnë të gjithë shtetasit e Maqedonisë, mes të cilëve edhe ata që nuk jetojnë në Maqedoni për të cilët institucionet nuk kanë evidencë te saktë, numrin e popullsisë – banorëve që përcaktohet çdo dhjetë vite e përbëjnë qytetarë të cilët gjatë operacionit të regjistrimit gjenden në Maqedoni – shtetas dhe qytetarë tjerë. Diskrepanca numerike rrjedh edhe nga fakti i mos azhurimit sistematik të Regjistrit të votuesve, pasi që kjo bëhet në shpejtësi dhe vetëm para zgjedhjeve”, deklaroi Saiti.